Elsa Ballauri: Të njohim të shkuarën për të shpëtuar nga urrejtja

schedule23:15 - 26 Janar, 2022

schedule 23:15 - 26 Janar, 2022

Muzeu i gruas jam unë vetë. E kam trashëguar nga babai, që ishte arkitekt muzesh dhe koleksionist. Ajo mbledhje e të gjithë atyre objekteve në atë muze janë pjesa e vetes sime. Gjyshja ime më tregonte se ku i kishte blerë, se çfarë i kujtonin ato objekte, ç’ka i bënin për mua objekte me histori, të veçanta. Ky është muzeu që e kam menduar që e vogël”. Kështu u shpreh për “Refleksione” në ABC News kreu i Grupit të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri. Duke shpjeguar iniciativën për ngritjen e muzeut për mbijetesën e gruas, Ballauri tha se çmimi “Pishtar i grave”, akorduar nga qeveria daneze në vitin 2009, ka qenë vetëm preteksti që ajo të niste realizimin e një ëndrre që e kish menduar që në fëmijëri.  “Teksa e ndërtoja, bindesha se sa pak dimë ne për gruan shqiptare. Ne duhet të dimë se arkivat tona, ose shumë arkiva nëpër botë, e kanë prekur shumë pak historinë e gruas shqiptare. Është shkruar pak për vitet ’20-’30. Por mentaliteti komunist rrafshoi gjithçka, duke dashur të mohojë faktin se ne jemi pasojë e asaj që ka ndodhur më parë. Unë i ftoj gratë, të rejat, që të shohin atë që nuk është thënë për gratë. Dua të zbuloj të panjohurën për gruan shqiptare. Dua të shohin që Shqipëria nuk ka qenë vetëm e asaj gruas që u edukua në komunizëm, por që ka pasur gra e vajza që ishin shumë të dhëna për atë që i duhej vendit”, tha Ballauri.

Ndërkaq, sipas Ballaurit, vijon të mbetet me shumë rëndësi që shoqëria shqiptare duhet të kujtojë jo vetëm mbijetesën e grave, por të pranojë se çfarë ishte ai sistem i përbindshëm që shkatërroi elitat, që shkatërroi ekonominë, që shkatërroi kulturën.  “Unë fatmirësisht isha e qartë nga kultura familjare për atë sistem. Në atë kohë, moslejimi nga sistemi për të vazhduar shkollën e lartë, më bëri të kuptoja se ai sistem kishte një urrejtje të përgjithshme për njerëzit e dijes, për pasanikët dhe për njerëzit që besonin në Zot”, u shpreh Ballauri, e cila e konsideron veten me fat që ka jetuar në një familje që kishte një lloj disidence në komunikimin e brendshëm. “Njohja me shumë të vërteta që kishin ndodhur në atë kohë, më bëri që të mos shihja thjesht dhimbjen time, pasi kishte shumë persekutime të tjera ekstreme, që kishin deformuar shumë nga marrëdhëniet tona shoqërore.  Dhe unë vendosa që revoltën time ta vijoja në jetë duke u marrë me të vërtetën e së shkuarës, me të drejtat që na kishin mohuar. Ndaj beteja në fushën e të drejtave të njeriut ishte një sfidë që erdhi natyrshëm te mua. Po të ishte për një rrugë të lehtë, ndoshta do të zgjidhja politikën”, u shpreh në “Refleksione” Ballauri, e cila ftoi të rinjtë që t’i shërbejnë vetes në këtë fushë dhe të përfitojnë nga historia jonë, nga e shkuara jonë.  Sipas saj, beteja për mbijetesë bëri që shumë njerëz të shikonin vetëm drejt kushteve ekonomike, ku e drejta e njeriut shpesh i është dukur një luks. “Kjo bëri që Shqipëria më shumë të mbetej në dorën e psikologjisë komuniste, e shumë prej atyre që ishin përgatitur vetëm në atë ideologji. Ata që kishin pasur dëshirën e lirisë brenda tyre, gjetën rrugët dhe ikën, dhe e shkuara mbeti shumë e fortë”, u shpreh Ballauri.

Teksa i rikthehet për të disatën herë thirrjes drejtuar të rinjve, Ballauri thekson se është me rëndësi  që ne duhet të qartësohemi për atë që ka ndodhur në Shqipërinë e kohës së diktaturës.  Sipas saj, nuk mund të anashkalohet e kaluara me shprehjen “nuk kishim ç’të bënim!”, pasi ky lloj justifikimi nuk na ka lënë të shohim traumën që pësuam nga ai sistem, nga devijimi i familjes, nga konstruktimi i tjetrit sipas orientimit të partisë. “Nëse ne nuk do flasim për atë traumë, ne nuk do ta zgjidhim as të tashmen e as të ardhmen tonë.  Ngaqë ne nuk folëm si duhet, kemi sot nostalgjikë, të cilët thonë se “në atë kohë kishte punë”, “nuk kishte vrasje”. Por këto i thonë pa treguar se çfarë ndodhte realisht pas asaj pune, pas atij manipulimi. Ne kemi frikë nga “pse”-të e së shkuarës.  Dhe ajo e shkuar na u fsheh në subkoshiencën tonë duke na lënë traumën e së shkuarës mes nesh, duke na bërë që ta mbajmë peng të ardhmen tonë. Zgjidhja vjen duke nisur me futjen në kurrikulat shkollorë e të vërtetave të së shkuarës”, u shpreh Ballauri në “Refleksione” në ABC.  Sipas saj, një nga rolet kryesore në këtë zbardhje të së shkuarës duhet ta vijojë ta ketë media, e cila rroku që në fillimet e veta përparësinë e të qenurit të lirë për të thënë mendimin ndryshe.

Abcnews.al