Ministrja gjermane: Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane

schedule12:35 - 21 Janar, 2022

schedule 12:35 - 21 Janar, 2022

Anna Lührmann, ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, shpjegon në një intervistë ekskluzive me DW prioritet e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.

Zonja ministre, Ju sapo jeni kthyer nga Tirana dhe Shkupi, ku bëtë një nga udhëtimet tuaja të para jashtë vendit që kur keni ardhur në post, si ministre shteti për Evropën dhe Klimën. Çfarë përshtypjesh sollët me vete?

Anna Lührmann: Shumë të mira. Ishte një vendim i ndërgjegjshëm për të udhëtuar në rajon menjëherë pas marrjes së detyrës, për të nënvizuar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por isha edhe kurreshtare të shihja se çfarë më priste atje. Më priti një diell i ngrohtë dhe shumë entuziazëm nga vendasit.

Një ditë para jush, kishte qenë në Shqipëri presidenti turk. Kryeministri shqiptar e quajti atë një njeri që mban fjalën, duke lënë të nënkuptojë se BE-ja nuk e mban premtimin. Kishte pak të drejtë, apo jo?

Është shumë e rëndësishme për mua që ne si Bashkim Evropian të mbajmë premtimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Prandaj duhet të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit. Ne po bëjmë maksimumin për të mënjanuar pengesat e fundit. Jam shumë e sigurt se së shpejti do të kemi përparime.

Ju keni thënë se rruga drejt integrimit kalon nga reformat. Dhe mendoj se kjo vlen sidomos për Shqipërinë. Për cilat reforma folët në Tiranë?

Të gjithë e dimë se anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e shumë kushteve. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut, kanë bërë përparim të madh, sidomos në fushën e reformës në drejtësi. Në Shqipëri është vërtet e rëndësishme që të ecet përpara me procesin e vettingut, për çka nevojitet edhe ndihma e opozitës. Për këtë çështje biseduam, por në përgjithësi, e urova Shqipërinë edhe për vendosmërinë, me të cilën ajo ka zbatuar reformat në vitet e fundit.

Vizita juaj në Shkup përkoi me fillimin e punës së qeverisë së re, dhe pak më vonë atje shkoi edhe kryeministri i ri bullgar. Duket se ka lëvizje dhe shpresë për një marrëveshje. Si i vlerësoni ju këto hapa?

Është një shenjë e madhe që qeveria e re bullgare dhe ajo e re maqedonase po lëvizin qartë drejt njëra-tjetrës. Shpresojmë shumë që këto çështje dypalëshe do t’i zgjidhin sa më shpejt në format dypalësh. Për mua ishte shumë e veçantë, që vizita ime atje ishte akti i parë zyrtar për Kryeministrin e ri, edhe për homologun tim të ri në Ministrinë e Jashtme. Fakti që kjo vizitë u bë kaq shpejt flet për marrëdhëniet shumë të mira midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë.

Çfarë duhet të bëjë Shkupi për ta zgjidhur këtë grindje me Maqedoninë e Veriut?

Tani është me rëndësi që të zhvillohen bisedimet me Bullgarinë, në këtë format dypalësh. Dhe kam marrë sinjale shumë pozitive, inkurajuese si nga Shkupi ashtu edhe nga Bullgaria. Mendoj se ka një ndërgjegjësim të madh se është e rëndësishme të ecim përpara me këtë proces aderimi sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sinjalet inkurajuese nga Bullgaria tani janë zbehur pak nga fakti që opozita dhe presidenti kanë kritikuar ashpër qëndrimin e guximshëm të kryeministrit të ri. Ekziston një shqetësim se kjo mund të rrezikojë edhe qeverinë e re. Si do ta mbështesni ju Bullgarinë?

Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne si Bashkim Evropian në tërësi, ku përfshihet edhe Bullgaria, të mbajmë fjalën ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim këto procese, të cilat duhet të ndodhin, por para së gjithash është një proces dypalësh dhe besoj se prioriteti për qeverinë e re bullgare është gjithashtu shumë i qartë: Të ecë përpara me agjendën e reformave dhe ekziston një dëshirë e madhe që historia t’u lihet historianëve.

Ju jeni njëkohësisht e ngarkuara e qeverisë për marrëdhëniet franko-gjermane. Franca në vitet e mëparshme ka qenë një pengesë për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ju tashmë jeni takuar me homologun tuaj në Paris. A shihni lëvizje?

Franca ka dërguar një sinjal shumë të qartë, me programin e presidencës së Këshillit të BE-së, ku perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor quhet me rëndësi qendrore. Ajo do të organizojë një konferencë për Ballkanin Perëndimor. Në fjalimin e tij në Strasburg, Macron e përmendi sërish këtë temë dhe e bëri të qartë se ka një perspektivë anëtarësimi. Pra, edhe sinjalet nga Parisi janë shumë inkurajuese.

Cili është theksi i ri që do të marrë tash e tutje angazhimi juaj në Ballkanin Perëndimor?

Unë jam ministre shteti për Evropën dhe Klimën. Dhe për qeverinë e re federale është shumë e rëndësishme që politika jonë evropiane të ketë në fokus politikat për mbrojtjen e klimës, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në Bruksel. Këtë e sqarova edhe gjatë udhëtimit tim. Ne do të përpiqemi që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i zgjerojnë kapacitetet e energjive të rinovueshme, të rrisin efiçencën energjetike, por edhe mbrojtjen e natyrës. Kjo është një temë e madhe sidomos në Shqipëri. Dhe sigurisht që këto do të trajtohen me prioritetet.

Ministrja e Jashtme gjermane foli në Kievpër të hapur atje një zyrë hidrogjeni dhe kjo më inkurajon të pyes: A mund të përfytyroni diçka të ngjashme për Ballkanin Perëndimor? A do të ishte kjo gjithashtu një zgjidhje për të evituar energjinë prej qymyrit në rajon?

Kjo duhet parë në varësi të vendit. Zgjerimi i teknologjive për prodhimin të hidrogjenit është sigurisht një temë. Megjithatë, unë besoj se duhet t’i jepet përparësi pyetjes se si mund të përftohet energjia elektrike për përdorim të përditshëm me anë të energjive të rinovueshme. Dhe është akoma më efikase, të përdoret energjia elektrike direkt nga panelet diellore, nga impiantet e erës. e më pas kjo të shndërrohet në energji elektrike me hidrogjen.

Konkretisht, ku i shihni potencialet dhe në ç’mënyrë mund ta mbështesë Gjermania Ballkanin Perëndimor në këto fusha?

Ne si qeveri po punojmë që kjo temë të vendoset në qendër të të gjitha marrëdhënieve dypalëshe. Por, sigurisht që mund të jetë edhe temë në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik. Ne kemi një investim të madh të një parku me erë nga një investitor gjerman në Maqedoninë e Veriut. Dhe sigurisht që do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje. Këto çështje do të diskutohen më tej edhe në fushën e bashkëpunimit teknik me Shqipërinë.

Qeveria e mëparshme federale kritikohej në rajon se mbështetej shumë tek stabilokratët dhe ishte më pak e orientuar nga vlerat. A do ta ndryshoni ju këtë qëndrim?

Qeveria e re gjermane e ka thënë mjaft qartë se në qendër të aktiviteteve tona do të vendosim një politikë të jashtme të bazuar në vlera. Kjo do të thotë se ne do ta shprehim hapur kritikën, nëse është me vend, por edhe se do t’i përkrahim proceset pozitive që sjellin stabilitet. Për shembull, gjatë udhëtimit tim, megjithëse ishte shumë i shkurtër, takova enkas jo vetëm qeverinë dhe opozitën, por edhe shoqërinë civile. Dhe kjo është sigurisht diçka që ne duam ta vazhdojmë: bashkëpunimin me shoqërinë civile, mbështetjen për shtypin e lirë, të pavarur, sepse kjo është ajo që i mban të gjalla demokracitë.

Veprimet e Komisionerit të BE-së Varhelyi janë kritikuar shumë në rajon dhe gjithashtu brenda BE-së, sepse ai po ndjek një politikë të udhëhequr nga Orban, e cila në disa aspekte është në kundërshtim me politikën e vlerave, që bën BE në Ballkanin Perëndimor. Çfarë mund të bëni ju në këtë pikë?

Po, mendoj se është e qartë se ne si BE jemi një komunitet vlerash që ka në themel shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Dhe e kam bërë të qartë vazhdimisht gjatë bisedimeve të mia të para në Bruksel se ky do të jetë një fokus shumë i qartë, veçanërisht për qeverinë e re federale. Dhe kjo do të jetë gjithashtu në qendër të politikës sonë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Në Tiranë, ju thatë se dëshironi të mbështesni vazhdimin e Procesit të Berlinit. Por në vitet e fundit është krijuar përshtypja sikur procesi ka hyrë në një rutinë, dhe se nuk ka efekt politik. Çfarë mund të ndryshoni ju?

Besoj se dinamika më e rëndësishme për bashkëpunimin në rajon vjen nga perspektiva e BE-së. Kjo do të thotë se ne tani duhet të bëjmë përpara në mënyrë që realisht së shpejti të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju përmendët Ryco-n, ky është me të vërtetë një rrjet i mrekullueshëm prej nga vijnë impulse të reja. Dhe këtu shohim se është e rëndësishme të krijohen perspektiva për të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor, që gjithashtu e bëjnë të lehtë lëvizshmërinë brenda rajonit për t’u shkolluar e arsimuar profesionalisht. Dhe këto janë sigurisht fusha ku ne duhet të vazhdojmë të punojmë.

Ju duhet të keni hasur në konceptin eBallkanit të Hapurgjatë udhëtimit tuaj. Si e komentoni ju atë?

Para së gjithash, e kuptoj se ekziston një dëshirë e madhe për të bashkëpunuar në rajon. Në të njëjtën kohë, iniciativat që duan të forcojnë bashkëpunimin rajonal duhet të jenë vërtet gjithëpërfshirëse, që do të thotë se duhet të përfshihen edhe vende si Kosova. Dhe kjo është thelbësore për ne. Dhe instrumentet e procesit të Berlinit janë shumë të përshtatshme për këtë. Në Sofje ishte arritur një marrëveshje për një treg të përbashkët rajonal. Dhe kjo marrëveshje tani më në fund duhet të zbatohet.

Një çështje tjetër e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor është lufta hibride, ndikimi i aktorëve të tjerë, veçanërisht i Rusisë. Dhe tani, duke pasur parasysh situatën problematike në Ukrainë, mund të shohim se kjo nuk është aspak e parëndësishme. Ekziston një shqetësim se mund të ketë politika destabilizuese. Si do të përballeni ju me to?

Me perspektivën e BE-së. Është shumë e rëndësishme për ne që tani duhet ta bëjmë të qartë se këto vende janë pjesë e shtëpisë evropiane dhe se ato vërtet i përkasin BE-së. Dhe, siç e theksuat edhe ju, edhe për arsye gjeostrategjike. Ne flasim shumë në Evropë, veçanërisht për sovranitetin e Evropës. Dhe nëse ne, si evropianë, duam të jemi të pavarur, atëherë duhet të arrijmë të sjellim vërtet stabilitet dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, i cili në fakt tashmë është pjesë e shtëpisë evropiane, edhe pse zyrtarisht nuk bën pjesë në të. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme për mua. Dhe besoj se kjo është edhe përgjigja për faktin se aktorët e tjerë me gjasa bëjnë veprime destabilizuese. ​

Ju jeni një politikane që ka filluar qysh në moshë të re të merret me politikë. Cila është këshilla juaj për të rinjtë? Çfarë duhet të bëjnë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor për të punuar drejt një të ardhmeje më të mirë?

Duhet të aktivizohen. Këtë kam bërë edhe unë në vitet e para. Unë jam aktivizuar politikisht që në moshën nëntë apo dhjetëvjeçare, kam filluar me mbrojtjen e mjedisit, më pas në këshillin e shkollës dhe kam parë se si mund të bëhen ndryshimet. Unë jam zgjedhur në moshën 19-vjeçare si deputete në parlament dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë zërin e tyre edhe në institucione si parlamenti apo qeveria./DW