Komisioni i Rithemelimit në zgjedhje si koalicion, avokati: Duhet të vendosin sigël dhe logo

schedule15:41 - 20 Janar, 2022

schedule 15:41 - 20 Janar, 2022

Nga Erneta Shevroja

Komisioni i rithemelimit të PD, e drejtuar prej ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të kalojë sprovën e parë zgjedhore më 6 mars, kur do të zgjidhen 6 kryebashkiakët.

Këtë ai ka vendosur ta bëjë duke qenë në një koalicion me parti të tjera opozitare, që do i bashkohen. Avokat Redi Ramaj tha se kjo është e vetmja mënyrë, në kushtet që është përjashtuar mundësia e garimit përmes kandidatëve të pavarur.

“Nëse vetë ata nuk mund të iniciojnë një koalicion duke përfshirë disa parti pasi nuk janë të regjistruara në gjykatë. KQZ nuk mund t’i pranojë në këtë formë”, shprehet Ramaj.

Berisha me grupin e tij do të duhet të vendosin për një sigël dhe logo, që nuk mund të jetë Partia Demokratike.

“Mbështetësit e Berishës nuk janë regjistruar si parti më vete. Nuk mund të regjistrohen si koalicion dhe as të kandidojë vetëm”, thotë ai.

A mund të ndodh që KQZ të refuzojë të regjistrojë koalicionin?

“KQZ nuk mund të bëjë zgjedhje politike. Në bazë të kushteve është e detyruar ta pranojë. Nuk mund të bëjë ndërhyrje apo vendimmarrje politike. Duhet t’i qëndrojë në tërësi kodit zgjedhor”, përmbyll ai. /abcnews.al