Partizani do të kërkojë maksimumin në ndeshjen ndaj Laçit. Trajneri Skënder Gega flet për gjendjen e skuadrës para ndeshjes së Superligës.
Gjithçka po ecën mirë për të. Partizani mund të ndihet i kënaqur nga pikët e grumbulluara, si dhe nga fitorja e Teutës ndaj Kukësit, pra mund të shkojë pa presion në Laç. Dueli i vështirë në fushën e kurbinasve duket, pra, se vjen në momentin e duhur.
Trajneri Gega nuk dëshiron të dëgjojë për këta argument, por si gjithnjë ka vetëm një moto, ajo që skuadra të japë maksimumin.
“Na intereson ndeshja me Laçin dhe për vështirësinë që ka sepse Laçi është një skuadër shumë e mirë. Ne do mundohemi të marrim maksimumin. Kemi ecurinë, kemi ardhur me meritë këtu, por futbolli njeh çdo gjë”, tha Gega.
Gega flet për mungesat, dhe sqaron se përse lojtarët e afruar në janar, nuk po luajnë ende.
“Hila nuk do jetë sepse ka pasur dëmtimin. Do mungojë edhe Rexhepi sepse ka marrë një ngacmim muskular. Nuk duam ta rëndojmë sepse kemi ndeshje të tjera. Pjesa më e madhe kanë qenë pa ekip, ka një arsye që në muajin Janar nuk luajnë megjithatë teknikisht kemi bërë përzgjedhjen, mirëpo fizikisht nuk janë aty ku mund të na ndihmojnë sot për sot”, tha trajneri.
Një pyetje ishte për lojtarët e rinj të sulmit, që po tregohen tepër të rëndësishëm.
“Fatmirësisht ajo moshë e re e sulmit e ka treguar që e ka mbajtur këtë lloj presioni, falë pjesës së madhe me eksperiencë”, tha Gega.
Tifozët, natyrisht që, janë të lumtur nga fitoret, por padyshim ata kërkojnë që skuadra e tyre të shënojë më shumë gola./abcnews.al

