Gazment Bardhi: Ndaloni shembjen e banesave tek “5 Maji”, duhet seancë dëgjimore banorë-bashki

schedule16:04 - 19 Janar, 2022

schedule 16:04 - 19 Janar, 2022

Duke folur në Komisionin e Ligjeve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka kërkuar ndalimin e ndërhyrjes për prishjen e banesave në lagjen “5 Maj” në Tiranë. Bardhi mes të tjerash ka kërkuar që të ketë seanca dëgjimore mes banorëve që preken nga shembjet dhe bashkisë së Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i PD tha se kjo është një çështje që lidhet me të drejtat e njeriut dhe si e tillë duhet të përbëjë shqetësim edhe për socialistët.

“Të mos kalohet vetëm me një fjali që kemi kërkuar informacione por t’i bëjmë thirrje në mënyrë të përbashkët, pa marrë meritën njëra apo tjetra palë, të gjithë bashkë t’i bëjmë thirrje institucioneve të ndërpresin procedurat, policia të tërhiqet, inspektoriati i territorit të tërhiqet, të bëjmë seancë dëgjimore me banorët dhe bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për qytetarët”, tha Bardhi.

Gazment Bardhi kërkoi që komisioni i ligjeve të mblidhet sërish për të shqyrtuar informacionin që do të vijë dhe për të dalë në një zgjidhje të përbashkët që merr në konsideratë interesin e qytetarëve.

“Kjo na nderon ne të gjithëve, nuk ka çështje më të rëndësishme se sa kjo. Aktin normativ unë e di që ju do ta votoni, prandaj mos bëni sikur po lodheni këtu për qytetarët. Kjo çështje që po diskutojme ne ka natyrë urgjente. Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim. Kjo çështje nuk ka ndasi politike. Nuk duhet të kemi frikë se na mërzitet Erion Veliaj, po t’i bëjmë thirrje policisë të tërhiqet në këtë moment. Ka më shumë policë atje, nuk lejohen gazetarët të kalojnë për të monitoruar situatën çfarë po bëhet, nuk lejohen banorët dhe të tjerë të asaj zone të kalojnë. Ka më shumë se dy mijë policë. Ky është terror. Dhe është detyra jonë të bëhemi zëri i atyre qytetarëve”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!