Trump shpall gjendjen e jashtëzakonshme

schedule23:18 - 15 Shkurt, 2019

schedule 23:18 - 15 Shkurt, 2019

Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin SHBA-Meksikë, duke shkelur çdo autoritet të Kongresit vetëm e vetëm për të financuar murin në kufirin jugor. Por, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e kanë paralajmëruar atë me një betejë ligjore që parashikohet të jetë e gjatë.

Presidenti Donald Trump shpalli të premten gjendjen e jashtëzakonshme, në përpjekje për të financuar murin e premtuar në kufirin SHBA-Meksikë pa aprovimin e Kongresit. Lëvizja e presidentit republikan, që anashkalon Dhomën e Përfaqësuesve, përbën një qasje të re për realizimin e premtimit elektoral, që synon ndaljen e fluksit të emigrantëve dhe drogës në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, krahas gjendjes së jashtëzakonshme, Trump ka premtuar se do të nënshkruajë projektligjin dypartiak që shmang përsëritjen e bllokadës qeveritare.

Manovrat e fundit konsiderohen megjithatë një humbje për kreun e shtetit, përsa kohë ai u detyrua ta nënshkruajë draftin që nuk përmban fondin e kërkuar prej tij, që u bë burim konflikti mes demokratëve dhe republikanëve dhe solli bllokadën qeveritare 35-ditore, më e gjata në histori.

Por pavarësisht se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund t’ia arrijë qëllimit të tij, Trump rrezikon të përfshihet në një betejë të gjatë legjislative dhe ligjore me demokratët, por edhe me republikanët që kundërshtojnë taktikën e tij. Kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nensi Pelozi dhe kryesenatori demokrat Çak Shumer iu përgjigjën menjëherë presidentit Trump.

“Veprimet e tij shkelin të gjitha kompetencat ekskluzive të Kongresit, të cilat themeluesit e vendit tonë i hodhën në Kushtetutë”, thuhet në një deklaratë të demokratëve. Në të nënvizohet se Kongresi do të mbrojë autoritetin kushtetues përmes gjykatave dhe çdo mjeti tjetër ligjor./abcnews.al