Autoritetet në Rusi thanë se kanë çmontuar grupin e krimit kibernetik “REvil” dhe që kanë ngritur akuza për disa nga anëtarët e tij. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim deri në 10 milion dollarë për informacionin që i çonte te anëtarët e grupit të hakersave. Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë tha se grupi “kishte pushuar së ekzistuari”.
Megjithatë, nuk duket se ndonjë anëtar rus i grupit do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara. Agjencia tha se kishte vepruar pasi i ishte dhënë informacion në lidhje me grupin “REvil” nga SHBA. Grupi i hakersave “zhvilloi softuer me qëllim të keq” dhe “organizoi vjedhjen e parave nga llogaritë bankare të shtetasve të huaj” raportoi shërbimi shtetëror rus i lajmeve “Tass”. Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë tha se kishte sekuestruar më shumë se 426 milionë rubla , duke përfshirë dhe rreth 440,000 paund kriptomonedhë.
Shërbimi i Sigurisë sekuestroi më shumë se 20 “makina premium” të cilat ishin blerë me të ardhurat nga krimi. “Shoqata e organizuar kriminale ka pushuar së ekzistuari dhe infrastruktura e informacionit e përdorur për qëllime kriminale është neutralizuar,” tha Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë në një deklaratë. Njoftimi i Rusisë vjen gjatë përplasjeve me Shtetet e Bashkuara raporton “BBC”.
Moska po kërkon garanci perëndimore, duke përfshirë se NATO nuk do të zgjerohet më tej. Ajo gjithashtu ka vendosur trupat e saj pranë kufirit me Ukrainën.
Këto arrestime janë një moment monumental në krimin kibernetik dhe marrëdhëniet kibernetike midis SHBA-së dhe Rusisë. Rusia për vite me radhë ka injoruar dhe mohuar akuzat se hakerave rusë u lejohet një port i sigurt në vend për të sulmuar objektivat perëndimore. Në Samitin e tyre të Gjenevës verën e kaluar, presidenti rus Putin dhe presidenti amerikan Biden ranë dakord që të hapnin diskutime rreth mënyrës se si do të luftohej plaga e sulmeve kibernetike, por edhe ekspertët më optimistë nuk kishin menduar se bisedimet do të jepnin fryte.
Arrestimi i grupit “REvil” nga autoritetet ruse është një rezultat i madh që pakkush do ta kishte parashikuar. Megjithëse u shpërbë kryesisht që nga shtatori i vitit të kaluar, “REvil” ishte një nga grupet më të rrezikshme të krimit kibernetik dhe ky arrestim u dërgon një mesazh të madh grupeve ruse të krimit kibernetik që “festa ka mbaruar”. Operacioni është gjithashtu hera e parë në vite që SHBA dhe Rusia kanë bashkëpunuar në një operacion të krimit kibernetik.
Ky operacion mund të tregojë një shkrirje të marrëdhënieve, e cila tashmë po festohet gjerësisht në botën e sigurisë kibernetike. / abcnews.al