Nigeria ka hequr bllokimin që i ka bërë Twitter-it pas 7 muajsh. Qeveria e Nigerisë pezulloi Twitter-in qershorin e kaluar pasi kompania fshiu një postim të presidentit Muhammadu Buhari të bërë në lidhje me ndëshkimin e secesionistëve rajonalë. Qeveria deklaroi se po e anulonte vendimin për ndalimin e Twitter-it në vend pasi arriti një marrëveshje me kompaninë, duke përfshirë dhe hapjen e një zyre lokale në Nigeri.
Ky vendim i qeverisë lejon miliona qytetarë në kombin më të populluar të Afrikës të përdorin përsëri platformën . Disa përdorues kishin vazhduar të hynin në rrjetin social pas bllokimit duke përdorur rrjete private virtuale, por qeveria u zotua të shtypë ata që ende postojnë në Twitter duke përfshirë dhe organizatat mediatike. Lëvizja vitin e kaluar nga qeveria e Nigerisë shkaktoi protesta ndërkombëtare mbi lirinë e fjalës raporton “BBC”.
Vendimi i kompanisë së mediave sociale për t’u regjistruar në vend tregoi se ajo ishte e përkushtuar ndaj Nigerisë, tha agjencia e zhvillimit të teknologjisë së informacionit të vendit. Twitter nuk ka komentuar ende vendimin e Nigerisë për të hequr ndalimin. Qeveria kishte urdhëruar ofruesit e internetit të bllokonin Twitter-in, duke pretenduar se po përdorej për të minuar “ekzistencën e korporatës së Nigerisë” përmes përhapjes së lajmeve të rreme që mund të kishin “pasoja të dhunshme”.
Ky vendim erdhi pasi Twitter hoqi postimin e Presidentit Buhari që kishte bërë rreth Luftës Civile Nigeriane që ndodhi nga viti 1967 deri në vitet 1970. Twitter është një rrjet social shumë popullor në Nigeri dhe platforma është përdorur si një mjet mobilizues. Aktivistët e përdorën atë për të mbledhur mbështetje gjatë protestave kundër brutalitetit të policisë nën hashtagun #EndSars, i cili fitoi vëmendjen globale. / abcnews.al