Rikthehen reshjet e shiut e borës në vend. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar ato janë regjistruar më të shumta në rajonin Verior Shkodër. Trashësia e borës shkon nga 10-40 cm. 20 cm borë është regjistruar në zonën Librazhd-Steblevë.
Ndërsa në zonën e Dibrës, trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë shkon gati 10 cm, ndërsa në zonat e thella deri në 30 cm. Nuk ka patur probleme në rrugë, por megjithatë kompania kontraktore që mirëmban rrugën Peshkopi – Kala e Dodës ka nxjerrë mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet pa probleme.
ARRSH bën të ditur se punohet për mbajtjen hapur të akseve rrugore.
Akset e detyrueshme me zinxhirë janë Kuben-Vasie, ku ka rreth 40 cm bore, Qafë Bualli-Krastë, ka rreth 20 cm bore, Ura e Cerenecit – Stebleve, 25 km e fundit, ka pasur rreth 20 cm bore, Trebisht – Dogane, ka pasur rreth 5-10 cm bore.
Reshje shiu e bore ka patur gjatë natës edhe në rajonin e Gjirokastrës, e të Tiranës. Në Dajt janë regjistruar reshje të dobëta bore.
Sipas ARRSH nuk ka probleme për qarkullimin në vend, por kërkohet respektimi i sinjalisitikës e shpejtësisë për shkak të lagështirës në rrugë. /abcnews.al