Skuadra e Skënderbeut u rikthye tek fitorja pas 6 humbjesh radhazi. Korçarët mposhtën Laçin me rezultatin 2-1 dhe ngjiten në vendin e katërt.
Skënderbeu merr frymë lirisht. Juglindorët u rikthyen tek fitorja në kampionat pas 6 humbjeve radhazi. Të besuarit e trajnerit Orges Shehi fituan me rezultatin 2-1 ndaj Laçit në sfidën mbyllëse të javës së 21 të Kategorisë Superiore. Pjesa e parë ishte e mbyllur dhe pa shumë raste shënimi.
Skuadrat qëndruan në pritje të gabimeve të kundërshtarit dhe sulmet ishin me pikatore. Pjesa e dytë dhuroi një tjetër skenar nga pjesa e parë duke u shënuar plot 3 gola. Skënderbeu kalon në avantazh në minutën e 55 me Blerim Krasniqin, i cili dërgon ngjitur me shtyllën një top të krosuar nga Muzaka.
Pas këtij goli, Skënderbeu administron më mirë situatën dhe fiton një 11-metërsh që shndërrohet në gol nga Pervan, i cili nuk fal përballë Selmanit. Ka sërish penallti, kësaj radhe në favor të Laçit që për çudi ngushton diferencat me portierin Selmani. Në minutat e mbetura nuk ka ndryshim rezultati dhe Skënderbeu siguron tre pikë me mjaft vlera në javën e 21. Një fitore që e ngjit skuadrën në vendin e 4 në renditje./abcnews.al