Në Hong Kong 10 zyrtarë të qeverisë, duke përfshirë drejtuesit e marrëdhënieve të brendshme dhe të emigracionit ishin midis 100 njerëzve që u dërguan në karantinë pasi morën pjesë në një banket. Autoritetet thanë ditën e premte se ata u dërguan në karantinë pasi dy të ftuar në festë rezultuan të infektuar me Covid-19. Shumë raste po zbulohen në Hong Kong javët e fundit dhe janë vendosur masa kufizuese ditën e premte për të luftuar një situatë të rëndë dhe që ka mundësi të bëhet një shpërthim në komunitet tha liderja e qytetit Carrie Lam.
Banketi u organizua ditën e hënë para se masat kufizuese të hynin në fuqi ditën e premte raporton “Reuters”. Asnjë nga zyrtarët nuk ka rezultuar pozitiv por u çuan në karantinë si masë paraprake që është në linjë me politikën e qytetit. Qendra globale financiare është nga vendet e fundit në botë që i ka qëndruar objektivit për të ndaluar transmetimin e virusit në komunitet duke aplikuar rregulla strikte karantine dhe duke izoluar veten e saj nga pjesa tjetër e botës.
Lam tha se ishte shumë e zhgënjyer që shumë zyrtarë morën pjesë në festë dhe që ata nuk duhet të marrin pjesë në aktivitete që rrezikojnë dhe krijojnë më shumë punë për byronë shëndetësore të qytetit. Autoritetet lokale vendosën që njerëzit nuk do të lejoheshin që të konsumonin ushqim pas orës 6 në restorante dhe mbyllën palestrat, parukeritë, pishinat dhe ndaluan grumbullimet e më shumë se 4 personave. Vendi ndaloji fluturimet me Amerikën, Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar për 14 ditë. / abcnews.al