Dokumenti “Tepër sekret”, si Enver Hoxha “kryqëzoi” Kadri Hazbiun: Mos ma ngre zërin mua

schedule08:46 - 7 Janar, 2022

schedule 08:46 - 7 Janar, 2022

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR

Tepër sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

KADRI HAZBIU: Ja, shoku Enver, po përpiqem. Nuk kam thënë çfarë dobësie timen ka shfrytëzuar Koçi Xoxja, po nuk e di unë çfarë dobësie më ka shfrytëzuar.

SHOKU ENVER HOXHANa i thuaj.

SHOKU SHEFQET PEÇI: A, Kadri?!

KADRI HAZBIU: Një minutë. Unë di këtë gjë që në plenumin e 8-të unë jam bërë shpirtërisht gati të vija, të punoja në një vend tjetër, duke gjykuar për gabimet e mia. Duhet të jetë letra ime në Komitetin Qendror të Partisë. Pse u gjykua që unë mbeta në Sigurim, këtë unë nuk e di.

SHOKU BEHAR SHTYLLA: Unë mbaj mend mirë ato që ke thënë ti në aktivin e Partisë në Kamëz.

KADRI HAZBIU: Po mirë, mo mirë, ti mban mend këto, kurse unë po them ato që më kujtohen mua. Duhet të jetë letra. Unë kam bërë autokritikën time, u çmua dhe unë mbeta prapë në Sigurim. Pse u çmua?

Nuk po futem në këto hollësira, vlerësimet janë aty, po unë di sa më është thënë atëherë: “krahas gabimeve ke këto të mira sepse ke mbajtur qëndrim të drejtë me sovjetikët”.

Ky ishte konkluzioni që mu tha mua. Unë ia dita Partisë për faleminderit dhe u përpoqa të punoj sipas vijës së saj. U bënë gabime, i mbaj unë përgjegjësitë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po shoku Rexhep Kolli tha për një Svetozar Koçiç. I ke dhënë gjë dokumente ti atij?

KADRI HAZBIU: Jo.

SHOKU ENVER HOXHAJe i sigurt?

KADRI HAZBIU: Absolutisht i sigurt, plotësisht i sigurt.

SHOKU ENVER HOXHA: A, plotësisht i sigurt?!

KADRI HAZBIU: Plotësisht i sigurt.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po si nuk i ke dhënë dokumente atij ti?

KADRI HAZBIU: Të të sqaroj, shoku Hekuran. Kur kam qenë unë në shkollë në Bashkimin Sovjetik, ku bëmë tetë muaj, gjatë asaj kohe kanë ardhur këtu këshilltarët jugosllavë. Kur kam ardhur, unë isha në Sigurimin e Ushtrisë dhe pashë se ishte transformuar krejt struktura e Sigurimit të Ushtrisë, kishin ardhur këshilltarët jugosllavë edhe deri në divizione.

Këtu në aparatin qendror kishte një a dy, nuk e di sa ishin. Këtu ka qenë dhe konflikti, që u quajt pozitiv për mua në atë kohë, sepse unë nuk pranova, ose si të thuash kundërshtova tezat e përgatitjes profesionale jugosllave të futura nga këta këshilltarë.

SHOQJA VITO KAPO: Kalove nga jugosllavët te sovjetikët, siç bëri Mehmet Shehu.

KADRI HAZBIU: Mundet, ajo është tjetër punë, po unë po them ashtu siç është. U krijua ky konflikt, jemi gjykuar, jemi thirrur atëherë në Drejtorinë Politike, unë u thirra si shef i Sigurimit të Ushtrisë. Nuk e di a mori dijeni në atë kohë komandanti apo nuk mori, po pas një kohe, këshilltarët jugosllavë ikën. Nuk ndenjën as dy-tre muaj mbasi u ktheva unë nga Bashkimi Sovjetik.

SHOKU RAMIZ ALIA: A ishte Koçiçi?

KADRI HAZBIUNuk e mbaj mend unë Koçiçin.

SHOKU ENVER HOXHA: A!! (shpreh habi).

KADRI HAZBIU: Atje kanë qenë dhe të tjerë, jo vetëm Koçiçi.

SHOKU HEKURAN ISAI: Me dokumente Svetozar Koçiçi është dërguar nga Titoja për të marrë Dushan Mugoshën e për t’a dërguar atë në Jugosllavi.

KADRI HAZBIU: Ë?

SHOKU HEKURAN ISAIPër ta dërguar në Jugosllavi gjatë Luftës nga 1944.

KADRI HAZBIU: Ë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Është kthyer Svetozar Koçiçi në sigurimin e ushtrisë kur ke qenë dhe ti.

KADRI HAZBIU: Po mirë, mo ku ka qenë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Svetozar Koçiçi nga Sigurimi i Ushtrisë u bë sekretar i Ambasadës Jugosllave dhe rekrutoi një numër të konsiderueshëm kuadrosh. Liri Gega dhe Dali Ndreu ishin strumbullari i Konferencës së Tiranës të vitit 1956.

KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Derisa më vonë u janë dhënë dokumente sovjetikëve, pse të mos i jenë dhënë Svetozar Koçiçit?

KADRI HAZBIU: Kur, nga kush? Nga unë?

SHOKU ENVER HOXHANuk dimë ne nga kush!

SHOKU HAKI TOSKA: Ti e di.

KADRI HAZBIU: Në qoftë se shoku Hekuran e shtron pyetjen se i qenkan dhënë dokumente, atëherë pse e zgjatni, shoku Enver? Më merrni në hetuesi dhe të flas.

SHOKU ENVER HOXHA: Ngadalë, ngadalë, mos e ngre zërin ashtu, mos e ngre zërin ashtu, se!!

KADRI HAZBIU: Epo unë kështu, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Të lutem, ne e ulim zërin, po ti e di punën, prandaj mos e ngre.

KADRI HAZBIU: Jo, unë nuk e di këtë, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: E, e di që nuk e di, po ne pyesim.

KADRI HAZBIU: Këtë nuk e di.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne pyesim.

KADRI HAZBIU: Nuk e di, po juve…

SHOKU HAKI TOSKA: Jemi të interesuar të dimë si, ç’lidhje ka pasur Kadri Hazbiu me Koçi Xoxen, me jugosllavët, me sovjetikët, me Mehmet Shehun, me Beqir Ballukun. Të thotë për këto, t’i nxjerrë, jo kështu lodra!

KADRI HAZBIU: Po unë lidhje armiqësore nuk kam pasur as me këta, as me njeri tjetër. Këtë e kam thënë dhe e them. Nëpërmjet punës kam bërë gabime me përgjegjësi të rëndë dhe do të përgjigjem.

 SHOKU ENVER HOXHA: Pa na i thuaj gabimet.

SHOKU SUL BAHOLLI: Ju nuk i thoni gabimet, i keni fshehur.

KADRI HAZBIU: Jo, nuk i kam fshehur.

 SHOKU SUL BAHOLLI: Dhe në “autokritikën” tuaj, në materialin që ne lexuam nga ana juaj nuk thuhet gjë për gabime.

KADRI HAZBIU: Jo, nuk i kam fshehur. Me ndërgjegje asgjë nuk kam fshehur.

SHOKU SUL BAHOLLI: Po, por në materialin e paraqitur nga ana juaj, në “autokritikë” asgjë nuk thuhet.

SHOKU ENVER HOXHA: Po le të na i thotë një herë gabimet xhanëm, cilat quan ai gabime?

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja, t’i thotë Kadriu gabimet. Ato që ai i ndjen si gabime.

KADRI HAZBIU: Unë, përveç atyre që kam shprehur atje, ndonjë gjë tjetër nuk kam çfarë të them.

(Të gjithë shokët: po atje s’ka gjë).

KADRI HAZBIU: Unë kështu e reflektoj, kështu e gjykoj. Një gjë thashë edhe në Byronë Politike edhe në autokritikën time që unë e di mirë, dhe për këtë jam i sigurt që komplotist në veprimtari armiqësore, në çfarëdolloj veprimtarie armiqësore, unë nuk kam qenë dhe nuk jam.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, mbaroi. Tani na thuaj një çikë që në procesin hetimor, Hulusi Spahiu e ka denoncuar Beqir Ballukun si pjesëtar të Konferencës së Tiranës?

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne, ka thënë ai, i kemi biseduar me Beqir Ballukun këto probleme.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, për të gjitha problemet. Ti këtë pse nuk e ke thënë?

KADRI HAZBIU: Këtë, shoku Enver, e kam thënë apo nuk e kam thënë, unë nuk e mbaj mend.

(Të gjithë shokët shprehin habi: oo!!).

SHOKU ENVER HOXHA: Kështu mbarojmë neve me ty, e mbyllim?

KADRI HAZBIU: Po një gjë është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Një gjë është Kadri, që kjo e dhënë figuron në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

KADRI HAZBIU: Cila?

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe në qoftë se do të tregohej që Beqir Balluku kishte marrë pjesë në Konferencën e Tiranës, atëherë ai nuk do të ishte më ministër, por do t’i ishte prerë koka.

KADRI HAZBIU: Po kështu, shoku Enver, sa ka pasur që jepnin të dhëna, jepnin deponime, po në atë kohë mundet edhe të mos i kem vlerësuar.

SHOKU SUL BAHOLLI: Po pse nuk i ke vlerësuar? Pse gjëra të vogla janë këto që nuk i ke vlerësuar? Pse nuk e vlerëson ti kur ai të thotë kështu për Beqir Ballukun?

KADRI HAZBIU: Po unë nuk e kam menduar armik Beqir Ballukun, të lutem.

SHOKU SUL BAHOLLI: Në materialin që është paraqitur në Byronë Politike thuhet se ky e dinte për ardhjen e Panajot Plakut në Pashaliman. Pse nuk na e thotë? Pse nuk ia ka thënë Partisë?

KADRI HAZBIU: Si?

SHOKU SUL BAHOLLI: Për ardhjen e Panajot Plakut në Pashaliman, mbasi ishte arratisur, pse nuk e ke thënë? Pse gjë e vogël ishte kjo? Panajot Plaku ishte armik i arratisur dhe kthehet në Shqipëri si diversant, ti merr dijeni dhe nuk njofton Partinë.

KADRI HAZBIU: Unë di që është njoftuar.

SHOKU SUL BAHOLLI: Ta dinte Partia, dhe ta kishte lënë të lirë Arif Haskon?!

KADRI HAZBIU: Avash, more shoku Sul, ta shpjegojmë, se nuk ka dalë që ishte me siguri. Atje thuhej se Panajot Plaku hyri në shtëpinë ku banonte Arif Haskoja dhe një këshilltar sovjetik. Nuk dihet me siguri hyri te sovjetiku apo te Arif Haskoja?

SHOKU SUL BAHOLLI: Kurse ti nuk e njoftove Partinë fare!

KADRI HAZBIU: Unë e di që e kam njoftuar.

SHOKU ENVER HALILI: A ishin fakte këto të një rëndësie për t’ia thënë Partisë dhe shokut Enver? A ishin të këtij karakteri?

 KADRI HAZBIU: Ishin, ishin. Memorie.al