“Më hipi inati”, dalin përgjimet “tepër sekret” të sigurimsit: Pse i hoqe gjilpërat e tankeve?

schedule08:15 - 6 Janar, 2022

schedule 08:15 - 6 Janar, 2022

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Dokumenti sekret i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, me bisedat e bëra në burgun e atij qyteti nga të dënuarit: Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, të cilat janë zbardhur nga përgjimet me Teknikë Operative

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE  E SHQIPËRISË                                                Sekret

Ministria e Punëve të Brendshme                                                                        Ekzemplar Nr. 2                           Dega e Punëve të Brendshme                                                                              Grupi i II-të

Ana e Sigurimit                                                                                                    Burrel, më 23.7.1983

Nr. 33

Ndalohet riprodhimi!

Legjenda:

M – Muhamet Prodani

V – Vaskë Gjino

T – Todi Lubonja

Xh – Xhavit Qesja

……………………………………Sqarimet e Punëtorit Operativ, T. Operative

                                                                 I N F O R M A C I O N 

Mbi drejtimin me T.O. stacionare të dënuarit antiparti, Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, më datë 14.7.1983

M – Dhe ja kështu ishte puna.

V –  Si të mbajti të nxehtit, hë?

M – …….

T – Po i hip njërit apo tjetrit ore ti vëlla, niveli i ulët ore, niveli i ulët shumë!

M – Niveli i ulët.

T – E tmerrshme, do ta kalonte ky komb, e paevitueshme!

M – Ehhh, niveli i ulët shumë!

V – Varja.

M – Po ato të parët, menjëherë dhe u bë hetuesia.

T – Po ata e patën tak tak?

M – Po ata menjëherë para popullit.

T – Para popullit, hë?

M – Po po.

T – Kështu që llahtarisën edhe popullin!

M – I thanë popullit se kush ka menduar…!

T – Si këta?

M – Ndryshe, kush ka folur me njeri afër Partisë, mos ja mbajnë….!

T – Të thanë gjë ata?

M – Po, ata thanë.

T – Thanë, hë?

M – Po ca i dënuan dhe ca i ndëshkuan.

T – Hej more dreq, e more shejtan…!

V – …..Po nuk të thanë ty more Muhamet, se kush të bëri komandant të Brigadës së Parë?

M – Mua, jo.

T – Po nuk të shkoqën…?

M – ……të Mehmet Shehut dhe të Fiqiret Shehut.

V – Hëëëë….!

M – Ky ishte misioni i parë?

T – Po.

M – Unë u thashë, se u kam q….tëmën Fiqiretes dhe Mehmetit….

T – Bashkë?

V – Të dyve, soj e sorollop.

M – Edhe më nuk ma përsëritën. “Marrëdhëniet me të”, më thanë ‘pas çlirimit”, po s’kam pas me të marrëdhënie, u thashë.

V – Po asnjë marrëdhënie?

M – Po si, më ka ardhur në ’72-in për Vitin e Ri njëherë dhe i kam vajt një herë a dy herë kur i vdiq e ëma, edhe këtë me shokët.

T – Po më duket se atëherë kam qenë edhe unë aty ato ditë.

M – Ehhh…. mundet, po unë as nuk i kam vajt në shtëpi dhe as nuk më kanë ardhur.

T – Edhe nuk insistuan më dhe nuk e zgjatën…?

V – Po e dinë ore ata.

M – Po e lanë atë akt-akuzë, me marrëdhëniet e tija….

T – E lanë të hapur, hëëë…?

M – Të hapur.

V – Edhe mbeti i paqartë, hë?

T – Po pse, për Mehmet Shehun luftove ti, e i…….zotin.

V – Po unë thashë se mos të kanë thënë se Mehmet Shehu të propozojti për t’u bërë komandant?

T – Po për ata kemi luftuar neve, nën hijen e bajraktarëve?!

M – Po,….më thanë mua se e ke pas shok të pandarë…..po dhe e ke dasht më thanë. Po edhe e kam dasht, u kam thënë, po shok lufte, u thashë ka qenë ai, jo vetëm e kam dasht, por e kam ndihmuar.

T – Po akoma ti s’ishte shok me Petrit Dumen, po mos të ishte shok me të, ti në atë kohë do të ishte ballist.

V – Po unë u thashë, si nuk e keshe shok Petrit Dumen që ishte shefi Shtabit të Përgjithshëm dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore dhe komandant i B. Politike?

M – Po duan të justifikojnë këta, si u godita, për këto jam habit.

V – Po mua, më hipi inati me atë.

M – Se ata mua më caktuan zëvendës të Mehmetit, kur u godit Beqiri me Petrit Dumen.

T – Ashtu hë…?!

M – Po si ore, më dhanë gjithë ato merita, të gjithë drejtorët vareshin nga unë.

V – Jo ore?

M – Po si ore.

V – Po ti paske pas qenë bërë i madh?!

M – Po si ore.

V – Po pastaj, kur u katërvare?

M – Dhe pastaj, u mpleksëm me të, për çështjen pse dënohet Ushtria dhe nxirret e zezë, për çështjet e gatishmërisë së Ushtrisë…….atëhere më thanë mua, do të rrish, ku të shpiem….atë s’e di, kush edhe Kadriu, Kadriu tha dhe këtë, sa mirë….(nuk i kuptohet).

T – Shi… shi… shi…?!

M – Po më tha pastaj, se ke heq edhe gjilpërat e tankeve dhe të topave!

V – Ëëëë gjilpërat…?!

M – Po, po unë këtë u thashë se nuk e di këtë punë dhe kjo është një ofezë e madhe që bëhet për Ushtrinë.

V – Po kjo është si ajo që thoshin se: puç do bëhesh….po kështu ore e kishin bërë, po më thanë mua!

M – Jo, unë nuk e di atë….po këtë ma thanë edhe përpara se këtë nuk po e merr seriozisht dhe pritshim shumë gjëra….po ai thoshte: kuadrot e Ushtrisë, të infektuar dhe unë këto nuk i pranoja!

T – E po kjo, ky muhabet të ka ngrenë kokën ty atëhere….po ja ke thënë Partisë këtë, dhe pse ti nuk ja thua?!

M – Po ja thashë të tëra.

T – Haaa, i ke shkruar?

M – Po si, dhe bile kam insistuar dhe se insistoj jo vetëm për interesin tim, por të shoqërisë dhe të Partisë.

T – Po s’do mënd, ajo dhe në rast të parë të shoqërisë dhe të Partisë.

M – Po edhe prokurorin.

T – Po atëhere se mos nuk ja kanë dhënë ore?

M – Po të gjitha ato letrat që kesha me vete, i mori hetuesia.

T – Hetuesia? Tashti?

M – Tashti ore.

T – Po më turp ore, më turp?!

M – Po edhe nga Hetuesia, këtë ja kam vënë…

T – Po edhe atij duhet të ja kesh dhënë se ti këtë duhet ta dije, se pa aprovimin e tij, asnjë qime nuk lëvizte Muhamet Prodanit dhe të as njeriut……..(qesh me ironi).

M – Po doli dhe me atë që ka disformue Partinë dhe u thashë se me shpifjet dhe trillimet nga Mehmeti….!

T – Po këtë e ke thënë mirë dhe mos të jesh hiç pishman.

M – Po pse ore të bëhem pishman unë…?!

T – Po me këtë ti o ke thënë të vërtetën…..!

                                                               Punëtori i T. Operative

                                                                   Ndue Sulejmani

U pa, 1.8.1983

 Dokumenti me të dhënat biografike të Xhavit Qeses, i përpiluar nga Punëtori Operativ, Maksim Çela

                                                             VËRTETIM BIOGRAFIK

                                                           XHAVIT HAJDAR QESJA

Xhaviti është biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, i datëlindjes 1922, lindur në qytetin e Krujës dhe sot i dënuar si anti-parti, me origjinë shtrese e pasur tregtare, i martuar, ka dy fëmijë, me arsim të lartë, me kombësi e shtetësi shqiptare.

Gjatë regjimit anti popullor të Zogut, familja e tij ka qenë e lidhur dhe e përkrahur nga ai regjim, mbasi gjyshi i tij, Ismaili, ka qenë tregtarë i madh dhe njeri me influencë për atë periudhë. Kjo familje ka lidhje miqësore me Abaz Kupin, mbasi xhaxhai i Xhavitit, ka pasur për grua vajzën e vëllait të Abaz Kupit.

Gjatë okupacionit nazi-fashist, Luftës Nacionalçlirimtare, familja e Xhavitit, është marrë me tregti, ndërsa vetë Xhaviti ka qenë i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ka qenë komisar i batalionit Krujë – Ishëm. Mbas çlirimit si familje e madhe tregtare, një pjesë e pasurisë së tyre është konfiskuar.

Xhaviti, mbas çlirimit ka patur funksione drejtuese në parti, si Sekretar i Parë i Komitetit Partisë Shkodër e Berat. Në vitin 1956, është arrestuar dhe dënuar si element anti-parti.

Nëna e Xhavitit, Sabrija, është motra e Hajdar Ferrës nga qyteti i Krujës, me banim aktualisht në qytetin e Durrësit, Sabrija dhe Hajdari kanë kushëri të dytë Xhemal Ferrën (Konti Ferra) me banim në Itali.

Xhaviti ka tre vëllezër, Xhaferr Qesen, anëtar Partie, me banim e punë në qytetin e Durrësit, Besim e Tuç Qesen, me banim e punësim në qytetin e Durrësit, për qëndrimin e të cilëve nuk njihen nga ana jonë. Xhaxhallarët e Xhavitit, janë Xhemal Qesja me banim në Ibë të Tiranës, Haxhi Qesja me banim në qytetin e Tiranës, i pari për tatime të jashtëzakonshme, ndërsa i dyti për tendencë arratisje jashtë shtetit.

Kushëri të parë të Xhavitit janë: Lutfi Qesja me banim në Krujë, punëtor, është i regjistruar në kontingjent, Ibrahim Qesen, mësues në fshatrat e Laçit, Agim e Ismail Qesen, me banim në Krujë, punëtor, që të gjithë të evidentuar në kontingjent, mbajnë qëndrim të mirë. Në qytetin e Tiranës, ka dy kushëri të parë, Fadil e Gani Qesen, qëndrimi i të cilëve nuk njihet nga ana jonë. Ka kushëri të dytë Sabri, Haxhi, Fitnete Qesen, që të gjithë anëtar Partie.

Xhaviti ka qenë i martuar me Neriban Nejdenin, nga qyteti i Tiranës, me të cilën ka dy fëmijë, është ndarë në kohën kur Xhaviti është dënuar.

Të dhënat biografike u murrën nga N.G.F.H. P.K. dhe u përpilua nga unë./Memorie.al