Nga Gideon Rachman “Financial Times”
“Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen:kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën”. Kështu shkruante George Orwell në fundin e viteve 1940. Por ky ekstrakt nga libri i famshëm “1984”, është një udhëzues i përsosur se si Vladimir Putin dhe Xi Jinping, përkatësisht udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës, po e trajtojnë historinë kombëtare të vendeve që sundojnë.
Në ditët e fundit të vitit 2021, qeveritë ruse dhe kineze ndërmorën disa veprime dramatike për të censuruar diskutimin e historisë së vendeve të tyre. Në të dyja rastet, vendimi për të “kontrolluar të kaluarën”, dërgon një sinjal shumë të zymtë për të ardhmen.
Gjykata e Lartë në Rusi vendosi nxjerrjen jashtë ligjit të “Memorial”, një organizatë e themeluar në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik për të regjistruar dhe ruajtur kujtimin e viktimave të stalinizmit.
Në Hong Kong, universitetet lokale iu përkulën diktatit të qeverisë qendrore të Kinës, duke hequr nga kampuset monumentet që përkujtonin masakrën në Sheshin Tiananmen në vitin 1989. Në dekadat e para pas dekolonizimit në vitin 1997, Hong Kongu ishte një bastion i fjalës së lirë brenda Republikës Popullore të Kinës.
Por ajo epokë ka marrë tashmë fund. Mbyllja e “Memorial” ndihet si një pikë kthese për të gjithë Rusinë. Me gjithë brutalitetin e regjimit të Putinit, Rusia kishte lejuar deri vonë dhe në mënyrë të dukshme më shumë liri sesa Kina për mendime politike të kundërta me ato zyrtare.
Kundërshtarët e Putinit demonstruan me dhjetëra mijëra në rrugë në vitet 2012, 2019 dhe në 2021. Kjo lloj kritike e hapur ndaj Xi-së, është ndjerë prej kohësh si diçka e paimagjinueshme në Kinën kontinentale. Edhe trajtimi i historisë nga secili vend, ka qenë i ndryshëm.
Një portret i Maos, udhëheqësit të revolucionit komunist të Kinës, ndodhet në qendër të sheshit Tiananmen, ndërsa përmendoret e tij qëndrojnë ende në kampuset universitare në Pekin dhe Shangai.
Por për të parë një statujë të Josif Stalinit në Moskë, mua m’u desh të vizitoja parkun “Monumenti i të Rënëve”, ku gjeta kokën e shkëputur të njërës nga përmendoret e ish-diktatorit sovjetik. Në vitin 2017, vetë Putin zbuloi një monument kushtuar viktimave të stalinizmit në Moskë dhe vendosi lule atje.
Në atë kohë, kreu operativ i “Memorial” e mirëpriti atë gjest. Por tani, prokurori i çështjes që ka nxjerrë jashtë ligjit “Memorial”, ankohet se organizata “na bën të pendohemi për të kaluarën sovjetike, në vend se të kujtojmë historinë e saj të lavdishme”.
Analistët e pavarur në Rusi, e shohin mbylljen e kësaj organizate si një lëvizje të qëllimshme drejt niveleve kineze të censurës dhe kontrollit. Alexander Baunov i “Moscoë Carnegie Center” tha për Neë York Times:”Ky është një ndryshim i vërtetë drejt një qasjeje kineze ndaj historisë, në të cilën “gabimet” nga Mao ose Stalin pranohen, por ato trajtohen si të meta të vogla në një histori tjetër të lavdishme”.
Grigory Yavlinsky, politikani veteran i opozitës, thotë se ky akt përbën një pikë kthese midis një shteti autoritar dhe atij totalitar. Me siguri që presidenti kinez do ta miratojë vendimin e Putinit për të goditur kritikat ndaj stalinizmit.
Udhëheqësi kinez ka qenë prej kohësh i shqetësuar nga rënia e Bashkimit Sovjetik, dhe i vendosur të parandalojë ndodhjen e diçkaje të ngjashme me Kinën. Në një fjalim të mbajtur në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Kineze, të mbajtur menjëherë pasi mori pushtetin, Xi pyeti:”Pse u shemb Bashkimi Sovjetik?”. Përgjigja e tij ishte:”Historia e Bashkimit Sovjetik dhe e Partisë Komuniste sovjetike ishte tërësisht e mohuar. . . Lenini ishte refuzuar, ashtu si edhe Stalini. . . Konfuzioni ideologjik ishte i kudondodhur. . . Kështu Bashkimi Sovjetik, që kishte qenë një vend i madh socialist, u shemb”.
Kontrolli i diskutimit të së kaluarës, mbetet qendror për stilin e qeverisjes së Xi Jingping. Vitin e kaluar, qeveria e tij miratoi një ligj për ta cilësuar një krim talljen me heronjtë kombëtarë të vendit. Si në Rusi ashtu edhe në Kinë, lëvizjet për të mbyllur debatet mbi historinë zyrtare, ecin paralelisht me një intensifikimin e represionit aktual.
Në javën që u mbyll “Memorial”, qeveria ruse arrestoi disa mbështetës të liderit të opozitës të burgosur, Alexei Navalny. Disa ditë më parë në Hong Kong, u hoqën statujat kushtuar ngjarjes së Tiananmenit, qeveria mbylli “Stand News”, median e mbetur dhe më të madhe pro-demokracisë, dhe arrestoi disa nga drejtuesit e saj kryesorë.
Censura ndaj historisë, është direkt e lidhur me agresionin jashtë shtetit. Një shenjë e goditjes së afërt ndaj “Memorial” erdhi në tetorin e vitit të kaluar, kur organizata u bastis gjatë shfaqjes së një filmi dokumentar mbi urinë e madhe të viteve 1930 në Ukrainën sovjetike. Kjo lloj kujtese historike është e papranueshme, në një kohë kur qeveria ruse po bën përgatitje të hapura për ta pushtuar Ukrainën.
Ngjashëm, Pekini mori masa vitin e kaluar për të censuruar sugjerimin se përfshirja e Kinës në luftën koreane në vitet 1950, ishte gjithçka tjetër, veçse jo një mbrojtje kundër një pushtimi të mundshëm nga SHBA-ja.
Por ky debat ka edhe një rëndësi bashkëkohore, pikërisht në një kohë kur po rritet sërish kërcënimi i një lufte midis SHBA-së dhe Kinës. Për të kompletuar rrethin e represionit, kritikët vendas të qeverive të Putinit dhe Xi Jingping, akuzohen vazhdimisht se punojnë për fuqitë e huaja armiqësore, ashtu siç bënin dikur kundërshtarët e Stalinit dhe Maos.
Argumenti se fuqitë e huaja janë në aleancë me kritikët e brendshëm të regjimit, përdoret më pas për të justifikuar represionin mbi baza patriotike, dhe për të mbështetur kauzën e një lidershipi “të fortë”. Si Putin ashtu edhe Xi kanë projektuar ndryshime në kushtetutat e vendeve të tyre, të cilat do t’i lejojnë të sundojnë në mënyrë të padiskutueshme shumë gjatë në të ardhmen.
Nëse Vladimir Putin qëndron në Kremlin deri në vitin 2036, gjë që tani duket qartësisht e mundur, ai do të ketë sunduar më gjatë sesa vetë Stalini. Dhe nëse ke ndërmend të imitosh Stalinin, pse duhet të lejosh kritikat ndaj tij? /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al