Armët bërthamore, Rusia: Të gatshëm për traktat të ri me SHBA

schedule19:55 - 7 Shkurt, 2019

schedule 19:55 - 7 Shkurt, 2019

Moska ka mirëpritur deklaratën e presidentit Donald Trump për një traktat të ri për armët bërthamore. Kremlini ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë një marrëveshje më gjithëpërfshirëse, ku të marrin pjesë edhe vende të tjera të botës, si Kina apo fuqi të tjera.

Rusia është e gatshme të shqyrtojë propozime të reja nga Shtetet e Bashkuara për të zëvendësuar marrëveshjen e pezulluar të Luftës së Ftohtë mbi armët bërthamore. Deklarata është bërë nga zëvendës ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Riabkov, i cili ka parashtruar mundësinë për një traktat të ri që të përfshijë më shumë vende të botës.

Reagimi i numrit dy të diplomacisë ruse vjen pas deklaratës së javës së kaluar të presidentit Donald Trump, se do të ishte në favor të hartimit të një pakti të ri për kontrollimin e armatimeve. “Sigurisht që e dëgjuam deklaratën e presidentit Trump për një traktat të ri, që mund të nënshkruhet dhe që mund të përfshijë vende të tjera”, ka deklaruar Riabkov.

Ai ka nënvizuar se Moska pret me padurim që të bëhen propozime konkrete, të cilat më pas duhet të hidhen në letër. Por Riabkov ka shtuar se, krahas deklaratës së presidentit Trump, nga Uashingtoni nuk ka patur një nismë konkrete për një akord të ri. Javën e kaluar Rusia pezulloi pjesëmarrjen në traktatin e vitit 1987, pas një lëvizjeje analoge të Shteteve të Bashkuara, që akuzuan Kremlinin se e ka shkelur marrëveshjen e arritur mes presidentëve Regan dhe Gorbaçev. Traktati i nënshkruar në kohën e Luftës së Ftohtë parashikonte ndalimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi për dy fuqitë bërthamore më të mëdha në botë, por ndërkohë përjashtonte vendet e tjera, që mund t’i prodhonin dhe vendosnin kudo në botë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!