“Nuk duhet thjesht të kemi disa politikanë të ndershëm, por të bëjmë të ndershme politikën si sistem”. Kështu u shpreh ish kreu i Kuvendit, Namik Dokle, i ftuar në “Refleksione” në ABC. Ish drejtuesi i Kuvendit në kohën e PS-së në pushtet, gjithashtu edhe zëvendëskryeministër në qeverisjen e Fatos Nanos , nuk ngurroi të përmendte emrat me të cilat do dëshironte të punonte po të kishte vijuar në politikë.
“Do doja të punoja sërish me profesorë si Servet Pëllumbi, Leontiev Çuçi, Luan Hajdaraga, Fatos Nano, Xhevat Lloshi, Shkelqim Cani, Anastas Angjeli, apo me kolegët e gazetarisë Halil Lalaj, Musa Ulqini. Por edhe nga krahu i PD-së, si Bensik Mustafaj, Bardhyl Londo e shumë të tjerë. Por nuk do ndjeja kënaqësi të punoja me ata që shfaqin mungesën e kulturës, që funksionojnë me gjuhë urrejtje, me ata që e përdorin foltoren e Kuvendit për të sharë dhe fyer të tjerët”, tha Dokle, duke mos e fshehur se, koha që ka drejtuar Grupin parlamentar të PS-së, në vitet 1992-1996, është periudha që i ka dhënë edhe më shumë kënaqësi në jetën politike.
Duke analizuar politikën e sotme, Dokle u shfaq shumë kritik për modelin me të cilën komunikohet me qytetarët.
“Dikur në politikë dominonin idealet mbi llogaritë, ndërkohë që sot janë llogaritë mbi idealet”, tha Dokle në “Refleksione”.
Sipas tij, modeli i kërkimit të deputetëve që sjellin vota dhe jo ide, ka sjellë edhe uljen e madhe të nivelit kulturor të atyre që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvend.
“Nëse Kuvendi ka një kulturë nën mesataren kulturore të shoqërisë, atëherë nuk mund të bëjë dobi, por veç dëm”, u shpreh Dokle.
Ish kreu i Kuvendit ka konsideruar si plagë të madhe të nivelit politik largimin nga qytetari, nga njerëzorja, dhe dorëzimin te pushteti të korrupsionit.
“Korrupsioni ka prekur politikën në të gjithë botën. Por në mënyrë paradoksale duket se korrupsioni ka prekur edhe vetë luftën kundër korrupsionit. Dhe ky është ndoshta një nga elementët më dramatikë. Unë nuk guxoj të them se politikanët janë të gjithë të korruptuar, por them se politika e këtyre tridhjetë viteve ka sjellë një korrupsion në rritje dhe një fjalë e një politikani mund të hidhet në kosh për shkak të mosbesimit ndaj politikës, edhe nëse ajo fjalë është e mençur. Elementi bazë në këtë betejë nuk është që të kemi 100 apo 300 politikanë të ndershëm, por të bëjmë të ndershme politikën si sistem, si veprimtari shoqërore e një shteti apo e shumë shteteve që bashkëveprojnë. Ne duhet të emancipojmë shumë politikën”, tha Dokle i ftuar në “Refleksione” në ABC.
Dokle ka kujtuar gjithashtu edhe bisedën me ish ambasadorin e parë amerikan para rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, Uilliam Rajerson pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kreu i Kuvendit, pasi Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar një vendim të rëndësishëm të Kuvendit lidhur me Drejtësinë.
“Rajerson më komplimentoi për veprimin e dorëheqjes duke e konsideruar një vendim emancipues për të ruajtur dinjitetin e Kuvendit. Por Shefi i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, që ishte aty pranë, tha në prani të Rajersonit: Gabim ka bërë. Veprimi i tij në Tiranë është një pikë ujë në shkretëtirë dhe nuk do arrijë dot të ndikojë në emancipimin politik të Tiranës”, kujtoi Dokle i ftuar në “Refleksione”. /Abcnews.al