Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti turk Erdogan kanë lënë pas tensionet që kishin përfshirë dy vendet dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe. Në takimin e zhvilluar në Ankara, dy liderët e kanë vënë theksin në çështje si terrorizmi dhe emigracioni.
Greqia dhe Turqia duhet të krijojnë një klimë mirëbesimi dhe të avancojnë marrëdhëniet dypalëshe në çdo fushë. Të këtij mendimi u shprehën të martën në Ankara presidenti turk Recep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras. Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas një takimi kokë më kokë që zgjati rreth 2 orë, dy liderët folën për një sërë çështjesh, që nga emigracioni deri tek terrorizmi.
“Si aleatë, ne duhet të bashkojmë forcat kundër terrorizmit, sidomos ndaj njësive paraushtarake kurde dhe lëvizjes Gylen”, deklaroi Erdogan, i cili preku edhe çështjen e 8 ushtarakëve turq që kanë kërkuar azil në Greqi.
“I tërheq vëmendjen vendit fqinj se ata janë të arratisur dhe përgjegjës për shumë vdekje”, vijoi Erdogan duke iu referuar viktimave të grushtit të shtetit të vitit 2016.
Nga ana e tij, kryeministri Tsipras falenderoi presidentin turk për mikpritjen dhe i mëshoi nevojës për një dialog të sinqertë mes dy vendeve.
“Dialogu ynë është i rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e popujve tanë, por për popujt e mbarë rajonit”, tha Tsipras. Sa i takon rastit të 8 ushtarakëve, kreu i qeverisë helene theksoi se ai ishte një “gjemb” në marrëdhëniet dypalëshe, njësoj sikurse ishte burgimi i dy ushtarëve grekë në Turqi.
“Greqia, si vend ku sundojnë rendi dhe ligji, duhet të respektojë vendimet e drejtësisë”, tha Tsipras. Pavarësisht dallimeve, shtoi ai, dy vendet duhet të përforcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Kryeministri grek citoi bashkëpunimin dypalësh në vitet 2015-2016, kur kriza migratore arriti kulmin dhe kur për herë të parë dy vendet zgjidhën jo vetëm probleme të dorës së dytë, por edhe ato me rëndësi ndërkombëtare, siç ishte ajo e refugjatëve. Erdogan dhe Tsipras ranë dakord që në kuadër të klimës së re pozitive, të rikthejnë në tryezën e bisedimeve ministrat e Mbrojtjes dhe ata të Jashtëm, për të reduktuar tensionet dhe për të rikthyer besimin reciprok./abcnews.la