Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacioni i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butriniti”, lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Burrelit
Marrë nga P.Op. V. Kuka
Dhënë nga B.P. “Butrinit”
Burrel me 26/7/1981
Raport i datës 26.7.1981
Heshtje dhe pritje
Mbi pozitën ndërkombëtare të vendit tonë
Siç dihet, qoftë për pozitën ndërkombëtare, qoftë për gjendjen e brendshme, (për ngjarjet kryesore), të paktën në marrëdhëniet me atë pjesë që kanë mbajtur e mbajnë qëndrim autokritik, janë të heshtur. Të heshtur, por jo të pa interesuar. Dhe kjo heshtje e tyre është domethënëse. Këtu fjala është për Maqon, Gjergjin, Todin, Fadilin e Xhavitin, pa llogaritur Gjin Markun, i cili lëshon orë e pa orë, slogane për luftën e pandërprerë që i bën imperializmit, dhe këto janë në rritje.
Presin një ndryshim të gjendjes. Ku e bazojnë ëndrrën dhe shpresën e tyre?
Përveç dhe të bashkë shokëve më të afërt, të shprehjeve, të Maqo Çomos “E mor, sa do të rrojnë edhe këta”?! “Në politikë ndodhin të papritura, ndryshime që nuk i pret as kërrkush”? etj. Konkretisht kohët e fundit, veçanërisht mbas ngjarjeve të Kosovës, këta sikur janë gjallëruar. Afrimi e përmirësimi i marrëdhënieve serbo-ruse, komploti i përbashkët antishqiptar, u ka dhënë zemër. Zhvillimin e ngjarjeve e gjykojnë në interes të tyre, në dobësim të pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë.
Dihet që Vaskë Gjinua, përveç bindjeve të veta, sado i përmbajtur, në një rast i pyetur nga ai, mbi ngjarjet e fundit shprehimisht tha: “Situata për ta është tepër e rëndë. I janë kundërvënë gjithë botës! Se si i bëjnë llogaritë, kush ua kupton. Sepse hiqen kundër imperializmit dhe Perëndimit. Po nuk është zor të kuptohet, se kokën e mbështesin në një jastëk. E ky nuk është ashtu siç thonë “Me forcat tona”. Është Parisi ose ky e ndonjë tjetër, këtë koha do ta provojë. Me cilin nga fqinjët e kanë mire?!
Greku se harron Vorio-Epirin, Italia ka pretendimet e saja. Për Greqinë, thonë se e kanë mirë, po kjo është vetëm e përkohshme. Me Jugosllavët, janë keqësuar e mbahen për fije të perit. I ka zemëruar dhe frikësuar afrimi sovjetiko-jugosllav. Edhe para se të vdiste Titua, po sidomos pas vdekjes së tij, sovjetikët i kanë vënë bërrylin amerikanëve. Jugosllavia me sot, me nesër, do të bashkohet hapur me Bashkimin Sovjetik e me ‘Traktatin e Varshavës’. Në një situatë kërcënuese ato do të mbajnë anën e sovjetikëve.
Garanci për këtë janë Ushtria, UDB-ja, Ministria e Punëve të Jashtme etj. Edhe në ekonomi, siç e thonë këta, sovjetikët kanë pozita kyçe. Kalimi i sovjetikëve në këtë krah, është vdekje prurës për NATON. Nuk është si thonë këta: “se ra rëndësia strategjike e Jugosllavisë”, jo, ajo është ajo që ishte, po është rritur e forcuar, pozita strategjike e Bashkimit Sovjetik dhe ‘Traktatit të Varshavës’. Këtë jugosllavët e kuptojnë dhe vlerësojnë drejt. Neve i kritikojmë dhe ngacmojmë. Po kështu i bëjmë keq vetes e vendit”.
Siç u tha, Vaskë Gjino është i rezervuar. Po më qartë s’ka si flet.
Gjendja e brendshme
As një zë mbi projekt-direktivat. Sikurse do parashtroj veças, direkt e indirekt, duan sidomos, Maqo Çomo, të dinë mbi hyrjet e daljet (lëvizjet) në burg. Dhe përmes tyre duan të mësojnë kush është dënuar dhe sa etj.
“BUTRINTI”
26.7.1981
Sqarim: Maqo Çomo, Gjergj Titani, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Gjin Marku e Vaskë Gjino, janë të dënuar antiparti. Nga ana jonë ndiqen në përpunim aktiv 2/A si të tillë.
Xhavit Qesja është dënuar për veprimtari antiparti, kemi të dhëna në ngarkim të tij në fashikull.
Vlersimi: Raporti paraqet interes operativ, pasi në të dalin shpresat, që ushqejnë këta element e kryesisht Maqo Çomo, ashtu edhe për ndryshime në politikë etj. Po ashtu dalin reagimet e konkluzionet, që nxjerr i dënuari antiparti Vaskë Gjino, në lidhje me ngjarjet e fundit në Jugosllavi e Kosovë, këto i lidh me vendin tonë, nxjerr të gabuar politikën e shtetit tonë etj.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të na informojë përsëri për komentet që do të ketë lidhur me ngjarjet aktuale në Jugosllavi e gjetkë. Për komentet që do të ketë lidhur me projekt direktivat e planit të 7-të, që do të miratohen në Kongresin e 8-të të P.P.SH-së. Të vazhdosh zbatimin e detyrave të dhëna muajin e kaluar.
Masat operative: Raporti t’i kalohet udhëheqjes së Degës për studim, pasi të merren vërejtjet e udhëzimet, të shtypet në tre kopje njëra t’i dërgohet Degës së Veçantë në Ministri dhe dy të tjerat të vendosen në dosjet formulare, të Maqos dhe Vaskës.
Raporti të shfrytëzohet për informacion dhe për buletinin e parullave armiqësore të muajit.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Raport-informacion i Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Burrelit
Marrë nga P. Operativ, V. Kuka
Dhënë nga B.p. “I penduari”
Burrel më 18/8/1981
Raport i datës 18/8/1981
Njofton se:
Forcim miqësisht dhe shqetësime në grupimin: Maqo, Bardhyl, Gjergji, Gjin, Todi, Fadil, Xhavit e Vaskë Gjino.
Kohët e fundit e sidomos gjatë muajit Korrik e Gusht, në mënyrë të theksuar vihen re këto shfaqje:
Në radhë të parë vazhdon të përforcohet edhe më tepër afrimi i Todit me Fadilin e Gjergjin. Kjo treshe sa vjen e forcon miqësinë dhe reflektohet në shfaqjet e tyre dhe si tipa aventurier. Edhe në bisedë me njëri tjetrin dhe me të tjerë, pastaj me anë të tellallit të tyre Gjergjit, këta përdorin një gjuhë, më keq se rrugaçët. Këta e kanë si një gjë të zakonshme edhe kur bisedojnë me njëri tjetrin, por edhe kur bëjnë llafe me ndonjë njeri ose kur marrin nëpër gojë rojet.
Nga ana tjetër, është përdorur edhe më shumë miqësia, ndërmjet Xhavitit, Gjergjit e Fadilit. Gjergji që s’pranonte t’i thonte njëri, një llafë dhe që mbi veten e tij s’vë njeri, Xhavitit i është bërë një shërbëtor i ndyrë, duke i kryer çdo shërbim dhe i ri peqe-lepe me këmbë. Po kështu po thuaj ka filluar të qëndroj edhe………., karshi Xhavitit, me një farë servilizmi.
Me Fadilin, që Xhaviti thoshte që nuk dua të kem asnjë lloj marrëdhënie, duke mos i dhënë as gazetën për të lexuar, tani kur janë vetëm në dhomë, pothuaj se gjithë kohën e çojnë duke biseduar. Kohët e fundit Xhaviti i jep edhe bukë Fadilit. Interesant është fakti që të dy këta grupime, bisedojnë fshehurazi me njëri tjetrin, me zë të ulët dhe ruhen mos të dëgjoj njëri. Edhe me Maqon e Bardhylin, Xhaviti vazhdon t’i përmirësojë marrëdhëniet.
Ka filluar të bisedojë me Bardhylin, më shumë. Kurse nga ana e Maqos, është shfaqur një shqetësim që shfaqet, në atë pse Vaska të mos pajtohet me Gjinin, ta izolojnë dhe të mos i flasin, shumë vetë dhe në atë se, nuk i pëlqejnë sjelljet e Gjergjit, sidomos për atë që edhe Maqon e vë në lojë, dhe që më shumë e tall dhe e provokon Gjinin. Maqua s’ka ditë të mos kapi Gjergjin e sidomos Vaskën, në oborr dhe t’i flas që të pajtohet me Gjinin. Por siç shihet Vaska, në këtë çështje nuk po i bindet Maqos.
Todi me Fadilin, që shkonin disa herë në ditë në dhomën një, dhe bisedonin fshehurazi me Maqon, Bardhylin dhe Gjergjin, tani janë si të shqetësuar dhe venë vetëm fshehurazi dhe njëri përgjon rojën, nga jashtë në korridor, që të lajmërojë të tjerët. Ka raste që edhe nga ana e Maqos dhe Bardhylit, të shfaqet një shqetësim në këtë drejtim. Kështu p.sh., me datë 16.8.81, kur Fadili me Todin, shkuan në dhomën një, dhe bisedonin me Gjergjin, Maqua me Bardhylin duallën jashtë në korridor, e shëtisnin.
Siç duket nuk donin të ishin prezent në bisedat e tyre. Si zakonisht Maqo Çomos, Todi Lubonja e Gjergji Titani, janë shumë të interesuar dhe bëjnë çmos, të marrin vesh çdo lëvizje e veprim, këtu në burg. Maqo dhe Gjergji, përfitojnë edhe nga ajo që dhoma e tyre, është afër derës se hyrjes e vendit të rojes, ku dëgjojnë çdo bisedë që bëhet nga rojet dhe në telefon.
Por Maqua me atë dhelpërinë e tij, disa informata i merr edhe nga Agroni, sidomos për lëvizjet, siç qe rasti i fundit dhe si me shejtanllëk, ja nxjerr edhe Agronit. Të gjitha këto e sidomos Maqua me Gjergjin e Todin, tregojnë një shqetësim të madh, për të ditur çdo gjë.
Një shqetësim tjetër ka patur edhe nga Gjini. Ky ka zënë Agronin e burimin dhe u ka thënë, për Azbinë, se ky është i poshtër dhe ka bërë shumë shpifje kundër meje dhe se si i di me siguri këto.
Sqarimi: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Gjergj Titani, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Gjin Marku e Vaskë Gjino, janë të dënuar antiparti, ndiqen nga ana jonë në përpunim aktiv 2/A, si të tillë. Maqua, Bardhyli e Gjini, ndiqen për tendencë organizimi, problem i centralizuar në qendër.
Xhavit Qesja, është i dënuar antiparti, ri dënuar për së dyti, kemi material në ngarkim të tij, se zhvillon përsëri aktivitet armiqësor.
Velrësimi: Raporti paraqet interesa operative, pasi në të dalin përpjekjet që bën elementi i dënuar antiparti, për të grupuar dhe për të zhvilluar aktivitet armiqësor të përbashkët.
Detyra: B.p., ju dha detyrë që radhën tjetër, t’i konkretizoj gjërat kur ndodhin. Nga e ka mësuar se Agroni i jep informacion Maqos, mos ka qenë vet prezent, apo të thëna nga këta dy të fundit?! Vetë B.p., çfarë mund të mësojë nëpërmjet përpunimit të tyre e jo konstatime, pasi ai me ta jeton natë e ditë.
Masa operative: Raporti t’i jepet udhëheqjes së Degës për studim, e pasi të merren vërejtjet e udhëzimet të shtypet në 11 kopje dhe dy t’u dërgohen në degët e veçanta dhe njëra Degës së 8-të, për t’a vendosur në dosjen agjenturiale, një të vendoset në dosjen agjenturiale në Degë dhe të tjerat të vendosen, sipas përkatësisë në dosjet formulare dhe në fashikullin e përgjithshëm të informatave për Xhavitin.
Pjesa e dytë e raportit që bën fjalë për shkelje të rregullave dhe për shpërdorim të pronës shtetërore, që kanë në përdorim të dënuarit, të konsumohet me komandën e repartit për t’u forcuar akoma më shumë rregullat e burgut, në çdo drejtim, qoftë edhe për administrimin e pronës.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Raport-informacion i Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Burrelit
Marrë nga P.Op. V.Kuka
Dhënë nga B.p. “I pandehuri”
Burrel me 20.8.1981
Raporti i datës 20.8.1981
Burimi njofton se më datë 19.8.1981, Kiço i tha atij se: “Siç më patë sot në ajrim, bëra një bisedë me Xhavit Qesen. Unë tha Kiçua, i thashë se: “Pse ti Xhavit, mban këtë qëndrim të ftohtë me mua, kurse ne njihemi prej kohësh, kemi qenë shokë, unë njoh edhe familjen tënde, nënën dhe kam respekt për ty. Mos të ka folur njeri për mua, mbrapa krahësh sepse mua më ka bërë përshtypje, ky qëndrimi tënd”?!
Kurse Xhaviti m’u përgjigj: “Unë nuk merrem me thash e theme, sepse siç të kam thënë, unë nuk dua të shoqërohem me asnjeri, unë dua të jem i izoluar dhe ai shoqërim që ka filluar të kem tani me Gjergjin, e kam pse ai kërkon të mësojë gjuhën frëngjisht, por unë dua të jem gjithmonë i izoluar. Unë të kam thënë dhe një herë vazhdon Xhaviti se:
“Unë nuk jam bërë komunist, duke lexuar librin “Nëna”, por duke lexuar kapitalin e Marksit, qysh kur isha student në gjimnaz, se unë ja kam thënë ato që kam, udhëheqësit kryesor të Partisë, se unë jam kundra ideologjikisht, politikisht dhe nga ana e kulturës, se mua Aga më ka thënë Sul Baholli dhe tani këtu Rrahman Përllaku, por ky s’është vet proletar, kurse unë se mohoj, që kam qenë një Aga, se unë nuk kam bërë fare gjyq, si në dënimin e parë dhe në të dytin”.
Por pse ke bërë grev urie i tha Kiçua? Ai ju përgjigj se: “Unë kam bërë grevë urie, pikërisht kur sovjetikët pushtuan Çekosllovakinë, sepse unë e dënova atë, kurse të tjerët këtu, u gëzuan”. “Unë’ vazhdoi Xhaviti, ‘nuk e pres lirimin nga Kulikovi si këta të tjerët dhe se unë e kam deklaruar se po të jetë se, sulmohet vendi ynë, nga të huajt marr pushkën e luftoj dhe kur të mbaroj lufta, vi prap në burg”.
Mbasi i thotë disa ngjarje, se si njëherë me kandidatin e Byrosë Politike, Pilo Peristeri dhe udhëheqësit e Partisë, i kanë dhënë të drejtë, këto më në fund i thotë, se unë nuk jam nga ata, që ngul këmbë në këto pikëpamjet e mija, por them se po të dalin dhe ti vërtetojë jeta, këto janë gabim, i gris dhe i hedh poshtë.
Më në fund Kiçua i thotë burimit, se interesant ky njeri thotë gjithashtu këto gjera dhe nuk thotë, në asnjë mënyrë, se cilat janë pikëpamjet e tij, por thotë se unë jam dënuar fizikisht, por nuk më dënojnë ndërgjegjen time.
Sqarim: Xhavit Qesja është nga Kruja, i dënuar si antiparti, në ngarkim të tij, kemi material në fashikull, se zhvillon aktivitet armiqësor.
Vlerësimi: Raporti paraqet interes operativ, pasi në të del se ky armik është dënuar pa të drejtë.
Detyra: “I pandehuri” ju dha detyrë, që të bisedojë përsëri me Kiçon, për të dënuarit e tjerë, por duhet të bisedojë edhe vet, pasi me ta rri tërë kohën dhe ka mundësi që të zhvillojë biseda të ndryshme me ta.
Për rastet e shkeljes së rregullave të brendshme, duhet t’i konkretizosh, me persona konkret. Kush i ka kryer, kohën, vendin dhe mënyrën.
Nga e di ti se Agroni i jep informacion Maqos, nëpërmjet thënieve të Maqos, apo të Agronit, apo i ke konstatuar vetë, mënyrën se si i ke konstatuar, po ashtu duke përcaktuar momentin, kohën vendin etj.
Të na informosh edhe çfarë ke mundësi të mësosh vetë, në biseda direkt pse veprojnë kështu, pasi me ta jeton, çfarë thotë Vaska, Gjini, etj. Për këto na i intereson?
Masat Operative: Raporti të studiohet nga udhëheqja e Degës dhe pasi të merren vërejtjet dhe udhëzimet, të shtypet në një kopje dhe të vendoset në fashikull për Xhavitin.
Të shfrytëzohet për informacion në Degën e veçantë, në Ministri dhe për buletinin e parullave armiqësore të muajit. /Memorie.al