Kopshti zoologjik francez mbyllet përkohësisht pas arratisjes së tufës me nëntë ujqër

schedule02:10 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 02:10 - 25 Dhjetor, 2021

Një kopsht zoologjik në Francë është mbyllur përkohësisht nga autoritetet lokale për shkak se një tufë prej 9 ujqërish u larguan nga vendi ku mbaheshin. Asnjë person nuk u lëndua gjatë incidentit që ndodhi javën e kaluar në Kopshtin Zoologjik Trois Vallees që ndodhet në jug të Francës. Kafshët shkatërruan barrierat mbrojtëse dhe kaluan mbi një gardh por nuk arritën të dilnin jashtë kopshtit zoologjik.

Zyrtari lokal Fabien Chollet deklaroi për “AFP-në” që 4 prej ujqerëve u vranë për shkak të sjelljes agresive që kishin treguar. Ujqërit e mbetur u vunë nën efektin e anestezisë nga zyrtarët lokalë dhe u transportuan në ambientet e kopshtit zoologjik ku mbaheshin.

Zyrtari lokal Fabien Chollet deklaroi që në kohën që ndodhi ngjarja në kopshtin zoologjik nuk ndodheshin shumë njerëz dhe që asnjë prej tyre nuk u rrezikua në asnjë çast. Në faqen e saj të internetit Kopshti Zoologjik Trois Vallees nxori një  njoftim, ku informonte vizitorët që do ishte mbyllur deri në mes të janarit për shkak të disa punimeve që po kryheshin.

Zyrtari lokal Chollet tha se kopshti zoologjik do të qëndrojë mbyllur deri në momentin që të rregullohen parametrat e sigurisë. Pronari i parkut Sauveur Ferrara deklaroi për “AFP-në” se ujqërit kishin mbërritur vetëm kohët e fundit në kopshtin zoologjik dhe theksoi se vizitorët ishin evakuuar menjëherë pas arratisjes.

Kopshti zoologjik strehon 600 kafshë si luanët, majmunët dhe flamingot në një sipërfaqe prej 600 hektarësh raporton “BBC”. Kjo nuk është hera e parë që është urdhëruar mbyllja e kopshtit zoologjik. Ministrja e Tranzicionit Ekologjik Barbara Pompili mbylli kopshtin zoologjik në muajin tetor për shkak të shqetësimeve të ngritura për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë e stafit.

Ky vendim i ministres u rrëzua disa ditë më vonë nga një gjykatë duke lejuar kopshtin zoologjik të mbajë kafshët e tij. / abcnews.al