Si e fundosën Turqinë politikat ekonomike të Erdogan

schedule14:42 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 14:42 - 24 Dhjetor, 2021

Nga Anne O.Krueger “Project Syndicate

Ekonomia turke është në krizë. Inflacioni është i lartë dhe në rritje të vazhdueshme, rritja ekonomike po ndalet, rezervat e këmbimit valutor kanë rënë, shumë mallra janë në mungesë apo thjesht të padisponueshme, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po varfërohen gjithnjë e më shumë.

Teksa PBB-ja për frymë ka rënë nga 12.600 dollarë në vitin 2013 në 8.500 dollarë në vitin 2020, 85 milionë banorë të Turqisë janë përballur me perspektiva ekonomike të zymta

për pjesën më të madhe të dekadës së fundit.

Edhe pse i kushtohet shumë më pak vëmendje nga sa meriton, Turqia është një vend i rëndësishëm, gjeopolitikisht dhe ekonomikisht, pasi ndan kufijtë e saj tokësore dhe detarë me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe 4 vende të Lindjes së Mesme.

Ajo është e vetmja anëtare e NATO-s me shumicë myslimane, dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës, pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Prandaj kriza e saj aktuale ekonomike, ka rëndësi përtej kufijve të saj. Problemet e Turqisë janë thuajse tërësisht të vetë-shkaktuara. Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan, i ka kaluar vitet e fundit duke boshatisur institucionet demokratike të vendit dhe duke mbjellë përçarje brenda popullsisë, për të penguar ngjitjen në pushtet të një opozite politike të bashkuar.

Për shkak të ecurisë shumë të mirë ekonomike vite më parë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdoganit është rizgjedhur në çdo palë zgjedhje që nga viti 2002. Por kjo mbështetje ka rënë ndjeshëm si rezultat i përkeqësimit të situatës politike dhe ekonomike.

Në nivel politik, qeveria e Erdogan ka arritur gjithnjë e më shumë të mbështesë idenë e një shteti fetar, edhe pse kushtetuta e vë theksin tek ekzistenca e një shteti laik. Ajo ka shtypur pamëshirë gazetarët dhe ço lloj zëri kundërshtar që pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në korrikun e vitit 2016.

Kushtet ekonomike në vend janë edhe më të këqija. Kur nisi të ngadalësohej rritja ekonomike në mesin e viteve 2010, qeveria e Erdogan reagoi duke nxitur investime në shkallë të gjerë në infrastrukturë, dhe duke i inkurajuar bankat që të mbanin në nivele të ulëta normat e interesit.

Por për shkak se këto shpenzime financoheshin nga burime të jashtme, ato krijuan presione inflacioniste. Norma e inflacionit në vend arriti në nivele dyshifrore në vitin 2017, dhe që atëherë vetëm sa është rritur më tej.

Kështu, Turqia po përballej me vështirësi ekonomike shumë përpara shfaqjes së krizës së Covid-19, dhe kur erdhi pandemia e goditi fort këtë vend. Dhe megjithëse masat stimuluese tejet agresive, mundësuan rifillimin e rritjes ekonomike, situata makroekonomike është bërë e paqëndrueshme.

Duke nisur që nga vjeshta e këtij viti, të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni është në nivelin 21 për qind, por shumë ekspertë thonë se norma reale ishte edhe më e lartë. Analistët parashikojnë një normë inflacioni prej 30 për qind ose më shumë në muajt e ardhshëm.

Nuk është ndonjë habi që një pjesë e konsiderueshme e turqve, të kenë përjetuar një rënie të fortë të të ardhurave reale (të llogaritura sipas inflacionit).Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, Erdogan i ka bërë presion prej kohësh Bankës Qendrore Turke që t’i mbajë të ulëta normat e interesit, pasi presidenti turk është thellësisht i bindur me një teori tashmë të dalë jashtë mode, sipas së cilës inflacioni shkaktohet nga normat e larta të interesit. Çdo ekonomist i besueshëm, do të thoshte se për të ulur inflacionin nevojiten norma interesi më të larta, dhe jo më të ulëta. Por Erdogan këmbëngul në bindjen e tij të kundërt. Madje ai ka zëvendësuar 3 herë në 2 vitet e fundit guvernatorin e bankës qendrore, vetëm për t`u siguruar që banka të vazhdojë të zbatojë udhëzimet e tij.

Kështu, më 16 dhjetor, guvernatori i ri i Bankës Qëndrore uli normën e interesit, duke e vendosur normën reale në -7 për qind. Për më tepër, shumë nga politikat stimuluese të qeverisë e kanë përshpejtuar rritjen e inflacionin pa e rritur prodhimin real, duke shkaktuar largimin e kapitalit dhe një zhvlerësim të madh të lirës turke, e cila ka humbur 45 për qind të vlerës së saj përkundrejt dollarit amerikan vetëm brenda këtij viti.

Pasi i ka boshatisur me shpejtësi rezervat e saj, rezerva bruto e bankës qendrore ishte 150 miliardë dollarë deri në marsin e këtij viti 2021, ndërsa tani është nën 90 miliardë dollarë. Ndërsa Erdogan këmbëngul tek politikat e tij monetare, mungesat e mallrave po bëhen më të shpeshta dhe të rënda, duke nxitur përpjekjet e disa ndërmarrjeve shtetërore për të kontrolluar çmimet. Por deficitet në rritje tek këto kompani po rrisin deficitet fiskale, duke shtuar kështu presionet inflacioniste.

Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të çmimeve, pagat reale do të kenë rënë gjatë këtij viti me 27 për qind në termat e dollarit, ndërsa shtimi i mungesave në treg po i redukton akoma më tej standardet e jetesës. Për të kompensuar dëmin e bërë, qeveria ka vendosur tani një rritje me 50 për qind të pagës minimale, duke filluar nga 1 janari i vitit 2022.

Por kjo masë vetëm sa do ta rrisë akoma më tej inflacionin. Në rast se qeveria turke ndryshon kurs duke e shtrënguar politikën monetare, dhe duke u angazhuar për reforma të tjera për të reduktuar deficitin fiskal dhe për të ulur presionin, siç është heqja e kontrolleve mbi çmimet (sidomos tek kompanitë shtetërore), ajo mund të arrijë ende që të amortizojë dëmet e mëdha që ka shkaktuar.

Por për sa kohë që Erdogan vendos veton mbi çdo gjë dhe këmbëngul në kursin e tij aktual, perspektiva mbi ekonominë turke dhe për mirëqenien e familjeve turke do të vazhdojë të jetë e zymtë. Dhe ndikimi i kësaj krize mbi stabilitetin e një vendi kaq të rëndësishëm strategjik, mund të jetë i pamundur të injorohet. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Anne O.Krueger, ish-kryekonomiste e Bankës Botërore dhe ish-zëvendësdrejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo është lektore e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!