Dhjetëra vajza afgane flasin nën zë teksa futen brenda një shtëpie në kryeqytetin afgan, Kabul. Për muaj të tërë, kjo shtëpi ka shërbyer si një shkollë sekrete, ku rreth 50 vajza kanë ndjekur mësime për shkencë, letërsi dhe matematikë.
Ato janë në mesin e miliona vajzave që u është ndaluar arsimimi që prej se talibanët morën me forcë kontrollin e Afganistanit gjatë muajit gusht.
Që prej atëherë, ky grup militant islamik ka lejuar vetëm vajzat nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë që të shkojnë në shkollë. Por, arsimimi i mesëm i vajzave është kufizuar dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre mund të ndjekin mësimet në 34 provincat e vendit.
Duke sfiduar këtë ndalesë të vendosur në Kabul, Mursal, që ka diplomë universitare, hapi shtëpinë e saj për dhjetëra nxënëse, të cilat kishin qenë të mbyllura në shtëpitë e tyre për muaj të tërë.
“Qëllimi i hapjes së kësaj shkolle është që të ndihmojmë vajzat që të mos mbesin prapa me mësime pasi edukimi i tyre u ndalua pasi [talibanët] morën pushtetin”, tha Mursal për Radion Evropa e Lirë. Ajo kërkoi që emri i saj i vërtetë të mos përdoret për shkaqe sigurie.
Mursal, që është në të 20-tat, e drejton vetë këtë shkollë dhe paguan të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe mjetet shkollore për nxënëset e saj.
Suraya, që është një nga nxënëset e Mursalës, tha se rikthimi i sundimit taliban për të është si dënim me burgim të përjetshëm.
“Shumë vajza janë të pashpresa dhe po vuajnë nga depresioni dhe stresi”, tha Suraya.
“Kjo shkollë na ka ndihmuar shumë”, shtoi ajo.
“Kërkesa ime për talibanët është që të rihapin shkollat në mënyrë që vajzat të mos mbesin analfabete dhe pa të ardhme”, tha Gul Meena, një vajzë në klasën e 11-të, që ndjekë mësimet në këtë shkollë sekrete.
“Arsimimi është i detyrueshëm për të gjithë myslimanët, si për burra, ashtu edhe për gra”, shtoi ajo, duke iu referuar parimeve islamike, sipas të cilave, edukimi konsiderohet si një detyrë fetare për meshkujt dhe femrat. /REL/