Interi është në krizë të plotë në Serinë A, pas humbjes me Bolonjën në “San Siro”. Sezoni rrezikon të dështojë, pas eleminimeve në Kupën e Italisë dhe në Champions.
Kur u bë i ditur formacioni, tifozët zikaltër komentuan kështu:
Të gjithë problematikët titullarë, edhe Naingolan, edhe Perisiç, por Spalleti ka bërë mirë sepse po u thotë “meqë doni të luani, tregoni sesa vleni”! Në fund, kur ndeshja u humb 0-1, u kuptua se trajneri nuk kishte bërë mirë, ose ndoshta nuk kishte pasur se çfarë të bënte.
Interi tashmë është një skuadër jashtë orbite, jashtë dorës së trajnerit dhe asaj të klubit, me shpresën e vetme tek Bepe Marota që, me financimin kinez, të krijojë një skuadër të re, të vërtetë. E tronditur në kampionat, dhe e eleminuar nga Kupa e Italisë, prej Lacios së Tomas Strakoshës. Po ashtu, e eleminuar nga Championsi prej Barcelonës dhe Totenhemit.
“Mundësia e fundit, – është komenti i “La Gazetta dello Sportit”, – vërshëllima në “San Siro”, Bolonja fiton 1-0. Katastrofë Inter, Spaleti në fije të perit, të shtunën në Parmë, është vendimtare”.
“Il Corriere dello Sport”: I mbytur! Humbja e tretë radhazi, përfshi edhe Kupën. Spaleti në krizë të plotë, ndonëse thotë se ndihet në rrezik”.
Sidoqoftë, si zakonisht, i pari pritet të largohet trajneri. Një teknik i dorëzuar është njëkohësisht edhe i dorëhequr, ndonëse mund të mos ikë vetë, por të shkarkohet. Interi “i çmendur” duket se ishte një barrë përtej të mundshmes për “priftin” Spaleti, më i vështirë sesa Roma dhe Zeniti i Shën Peterburgut. Antonio Konte dhe Zhoze Murinjo cilësohen kandidatura për ta zëvendësuar.
Problemi i dytë është ai i kapitenit. Mauro Ikardi vështirë se mund të mbajë shiritin, siç kanë bërë dikur Bergomi e Zaneti, madje as nuk mund t’i afrohet sakrificës së Nikola Bertit apo Marko Materacit.
Lajmet nga Milano flasin edhe për një “eksod” të pritshëm. Mediat informojnë se dëshirë për t’u larguar kanë Perishiç, Kandreva, Miranda dhe Galiardini. Tashmë, Marota duhet të tregohet i zoti për të bindur ata që ja vlen që të qendrojnë, dhe për të gjetur alternativat e duhura për ata që do të ikin. Gjithsesi, ka një objektiv që duhet arritur, Championsi, ndryshe është vështirë që të binden kampionët për të ardhur tek Interi./abcnews.al