Papa Françesku nis një vizitë treditore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku qëllimi i tij kryesor është zgjatja e dorës së bashkëpunimit drejt fesë islame. Konflikti mes Emirateve dhe Jemenit, pritet të jetë një tjetër pikë e axhendës papale, ndërkohë që Ati i Shenjtë do të mbajë dhe të parën meshë të krishtere të drejtuar ndonjëherë nga ndonjë Papë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Papa Françesku mbërriti mbrëmjen e së dielës në Abu Dabi për një vizitë treditore, gjatë së cilës ai synon të konfirmojë politikën e tij të dorës së zgjatur drejt islamit. Kjo lëvizje vjen në një kohë të tensionuar, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë të përfshirë në konfliktin në Jemen. Për herë të parë kreu i Kishës katolike do të mbajë në Gadishullin Arabik një meshë të krishterë, ku pritet të marrin pjesë rreth 130 mijë besimtarë.
Por nuk është ky qëllimi kryesor i kësaj vizite. Papa Françesku shkoi në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë të hënën se bashku me rreth 700 udhëheqës të tjerë fetarë të të gjitha besimeve, në një “konferencë botërore mbi vëllazërinë njerëzore” të organizuar nga “Këshilli Musliman i Sages”, i kryesuar nga Sheikh Ahmed Al Tayeb, rektori dhe imam i madh i Universitetit Al Azhar të Kajros në Egjipt, me të cilin Ati i Shenjtë do të takohet për të pestën herë në pesë vjet të papatit të tij. Çështja e Jemenit pritet të jetë njëra prej temave kryesore të bisedimeve që do të zhvilloje Papa me autoritetet më të larta Saudite. Kjo lëvizje e tij shikohet si një përpjekje serioze për të arritur paqen mes dy vendeve.
Në një mesazh të bërë publik pak ditë më parë dhe të dërguar në emiratet e Bashkuara Arabe, Papa theksonte se ishte i kënaqur nga kjo mundësi e ofruar nga Zoti, për të ndërtuar një faqe të re në historinë e marrëdhënieve midis feve.
“Jemi vëllezër edhe nëse jemi të ndryshëm”, theksonte Papa në mesazhin e tij ku qartazi shfaqet dora e zgjatur e bashkëpunimit me fenë islame. Në fund të Marsit, Papa ka planifikuar edhe një vizitë në Marok./abcnews.al

