Mustafi: Gjykata e Beogradit legalizon termin fyes “shqiptari”, institucionalizon gjuhën e urrejtjes

schedule11:00 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 11:00 - 22 Dhjetor, 2021

Gjykata e Apelit në Beograd ka refuzuar ankesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë publik aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Beograd, me të cilin hidhet poshtë padia ndaj ministrit serb të Mbrojtjes.

 “I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vulin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, ‘legalizon’, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”, ka shkruar Mustafi.

Ai ka paralajmëruar se tani do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në Serbi, si hallka e fundit e gjyqësorit në Serbi.

Postimi i plotë i Mustafit:

“EDHE GJYKATA E APELIT LEGALIZON TERMIN FYES “ŠIPTARI” DHE INSTITUCIONALIZON GJUHËN E URREJTJES. VAZHDOJMË NË GJYKATËN KUSHTETUESE!
Gjykata e Apelit ka “refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd”, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve

Siç dihet, tashmë që nga 25.06.2019 jam në betejë për drejtësi dhe kundër “kriminalizimit” dhe institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes.

  1. Aleksandër Vullin i cili atëherë ishte Ministër i Mbrojtjes të Republikës së Serbisë është jo vetëm nxitësi institucional i diskursit ksenofob, por para së gjithash dhe mbi të gjitha sinonim i shqiptarofobisë.

Kujtoj se të gjitha raportet relevante ndërkombëtare nënvizuan gjuhën e tij ksenofobe dhe raciste. I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, “legalizon”, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë.

Përtej padisë, përtej asaj çka përfaqëson z. Aleksandër Vullin e përtej diskursit antishqiptar aktual, e drejta është me të vërtetën dhe e vërteta është në të drejtën tonë. Ky proces shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi. Tregon për gjyqësorin në Serbi. Për brishtësinë dhe mungesën guximit për të pasur gjyqësor të pavarur dhe të pandikuar politikisht përballë një ministri.

Nuk do të dorëzohemi. Pritja nuk na lodh e tejzgjatja nuk na demoralizon. Gjykata e Apelit në Beograd, përkundër të gjitha argumenteve vendosi në favorin e tij. Tashmë dorëzojmë lëndën para Gjykatës Kushtetuese, si hallka e fundit e gjyqësorit në Serbi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!