Presidenti rus, Vladimir Putin tha më 21 dhjetor se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarake-teknike” në përgjigje të veprimeve “jomiqësore” të Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Putin për javë të tëra ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën Veri-Atlantike (NATO) se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet për një konflikt të mundshëm.
“Në rast të vazhdimit të qëndrimit, dukshëm agresiv, të kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarake-teknike”, tha Putini gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.
Rusia “do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”, tha Putini, duke shtuar se ai dëshiron “të theksoj se ne kemi të drejt ta bëjmë një gjë të tillë”.
Që prej mesit të muajit nëntor, Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se Moska mund të jetë duke përgatitur një sulm të shkallës së gjerë në Ukrainë dhe e ka paralajmëruar Putinin se në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, Moska do të përballej me sanksione të paprecedentë.
Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Moskën se ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit në lindje të Ukrainës, ku Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014.
Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën dhe po kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, duke kërkuar që Aleanca të mos zgjerohet nga lindja.
Javën e kaluar, Moska paraqiti kërkesat për SHBA-në dhe NATO-n, duke argumentuar se Aleanca nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj apo të ndërtojë baza ushtarake në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.
Por, më 21 dhjetor, Putini tha se ai nuk do t’i besonte garancive të sigurisë, nëse Uashingtoni do t’i ofronte për Moskën.
“Ne na duhen garanci ligjore afatgjate”, tha ai, duke paralajmëruar se “nuk mund t’iu besojmë atyre”, sepse “SHBA-ja lehtësisht tërhiqet nga të gjitha traktatet ndërkombëtare kurdo që Uashingtoni humb interesin për to”./REL