DW: Pse kaq frikë nga Omikron?

schedule12:51 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 12:51 - 21 Dhjetor, 2021

Gjermania ndodhet para kufizimeve të reja për shkak të variantit të ri. Politika dhe ekspertët presin një valë të fortë infektimesh, me pasoja për të gjithë jetën publike, nëse nuk merren masa për ndërprerjen e saj.

Para takimit të federatës dhe landeve të martën (21.12), ku pritet të miratohen masa të reja kufizuese edhe për të vaksinuarit e shëruarit nga Corona, politika gjermane dhe ekspertët paralajmërojnë një valë të fuqishme të infektimeve për shkak të Omikron. Masat e reja pritet të vlejnë nga 28 dhjetori. Maksimalisht mund të takohen 10 persona të vaksinuar apo të shëruar, për të pavaksinuarit lejohen vetëm takimet me familjen e vet dhe dy persona të një familjeje tjetër. Aktivitetet e mëdha do të zhvillohen pa spektatorë, pra Bundesliga nga janari do zhvillojë ndeshje në stadiume bosh, diskotekat e klubet mbyllen. Në dyqane vlen si më parë rregulli që hyn vetëm me vaksinim ose vërtetim shërimi.

“Duhet të përgatitemi se mund të kemi një valë të fortë”

Sipas ekspertëve, Omikron është shumë inkfektues dhe anashkalon edhe imunitetin që krijon vaksina. Virologu, Hendrik Streeck, anëtar i këshillit të ri të ekspertëve të qeverisë gjermane shprehet për ZDF, se “duhet të përgatitemi se mund të kemi një valë të fortë.”

Deutschland | Coronavirus | Hendrik Streeck | VirologeHendrik Streeck

Aktualisht politika gjermane në luftë kundër pandemisë këto javë e vuri theksin tek vaksina përforcuese, por “boosteri vetëm nuk do të mjaftojë”, thotë anëtari tjetër i këshillit të ri të ekspertëve të qeverisë, prof. Leif Erik Sander “Ky variant është shumë infektues, përhapet shumë më shpejt, se të gjtha variantet e deritanishme, dhe me këtë sjell një dimension të ri të pandemisë, kemi një shpejtësi tjetër.” Sipas Sander, boosteri, vaksina përforcuese ka efekt pozitiv. “Ne nuk dimë ende shumë, për ecurinë e sëmundjes. Por ajo që pritet është që personat që nuk janë vaksinuar ose shëruar, mund të sëmuren po kaq rëndë, si tek variantet e tjera.”

Shqetësimi i politikës dhe ekspertëve lidhet me problemet që mund të ketë infrastruktura kritike, nëse sëmuren shumë vetë në të njëjtën kohë. Sipas profesorit Sander, nëse gjithçka zhvillohet shpejt, dhe në të njëjtën kohë kemi shumë të sëmurë, mund të kemi situata si në Angli, kur shumë njerëz sëmuren njëkohësisht dhe futen në karantinë. Në këtë situatë nuk mund ta mbash në funksion si duhet një spital apo një sektor pune, është shprehur Sander për televizionin gjerman, ZDF. Landet gjermane po punojnë për plane të posaçme për raste krizash, si duhet punuar, nëse vjen vërtet vala e fortë Omikron. Ministri i Brendshëm i landit Renani Veriore-Vestfali, Herbert Reul, u shpreh për WDR të hënën, se po punohet për plane të tilla krize.

Deutschland | Bundespressekonferenz Leif Erik SanderLeif Erik Sander

Söder: Nuk duhet panik

Kurse kryeministri bavarez, Markus Söder është shprehur, se duhet siguri në planifikimin e luftës kundër pandemisë. Nëse varianti Omikron vërtet shkakton pak ecuri të rëndë të sëmundjes, kjo duhet të reflektohet në masat tona, tha kreu i CSU për ARD. “Ne duhet fillimisht vërtet të kemi një vlerësim të qartë, se sa i rrezikshëm është Omikron, si ndikon kjo tek spitalet, si është gjendja e rrezikimit veçanërisht për brezin më të ri.” Po ashtu Söder kërkoi që të ketë qartësi të menjëhershme, nëse ka mjaftueshëm vaksina për freskimin e dozës së dytë.  “Nuk ka kuptim që tani me shifrat që bien të thirret paniku. Por nga ana tjetër duhet të jemi konsekuentë dhe të ndershëm, për atë që na pret.” Ajo që duhet sqaruar është si do të veprohet në janar me shkollat. Po ashtu e paqartë është ende, kur duhet të marrë një vaksinë përforcuese një i shëruar nga Corona.

Eksperti i Të Gjelbërve për shëndetësinë, Janosch Dahmen e quan të mundur rishpalljen e gjendjes epidemike. “Ka gjasa që nëse situata me Omikron ashpërsohet më tej, mund të ndodhë që na duhet të shpallim sërish gjendjen epidemike.” Kontakti i federatës dhe landeve me dinamikën e lartë aktualisht është i nevojshëm, sipas Dahmen. Instituti gjerman Robert Koch regjistroi të martën 23.428 infektime të reja, shenjat e infektimeve janë në rënie, por numri i vdekjeve mbetet i lartë. 462 raste vdekjesh u shënuan të martën.

Coronavirus in Bayern | PK StaatsregierungMarkus Söder

Moderna: E mundur përshtatja e vaksinës kundër Omikron

Ndërkohë prodhuesi amerikan i vaksinës, Moderna nuk shikon probleme në përshtatjen e vaksinës kundër variantit të ri të Coronës, Omikron. Nevojiten ndryshime të vogla, është shprehur kreu i koncernit, Stephane Bancel për gazetën zvicerane, “TagesAnzeiger”. Sipas tij, Moderna pret aktualisht për më shumë informacione të rëndësishme lidhur me këtë mutacion, të cilat mund të mblidhen për rreth dy javë.

Moderna shpreson, që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojnë teste klinike me një vaksinë të specializuar kundër Omikron. Derisa  të prodhohen rreth 500 milionë doza, kërkohen pak muaj, sipas Bancel. Kapacitetet e Modernas janë shumë më të mëdha se para një viti është shprehur Bancel. Në fillim të vitit 2021, Moderna kishte probleme me furnizimin./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!