Editoriali i kësaj të diele i moderatorit, Bes Kallaku në spektaklin e humorit “Kosherja” lidhet me dhunën ndaj grave dhe në familje.
Ai është shprehur se prej mentalitetit turpit dhe frikës, që gratë kanë për të denoncuar, ndodh që dhunuesit marrin zemër dhe të arrijnë deri aty sa t’i vrasin.
Sipas Kallakut, mospërkrahja e familjes, indiferenca e shoqërisë, shpesh herë na kanë çuar në viktima, ku më së shumti janë gra dhe krim në familje.
“Ne arrijmë të bëjmë edhe humor, hë se gruaja s’ka gjë. Është si veza, sa më shumë ta rrahësh, aq më e mirë bëhet. Në fakt ne e themi këtë gjë dhe harrojmë se nesër ajo veza, ose ajo radha mund t’i vijë motrës tënde dhe vajzës tënde nesër. Edhe mospërkrahja e familjes, indiferenca e shoqërisë, shpesh herë na kanë çuar në viktima, ku më së shumti janë gra dhe krim në familje. Edhe ne vazhdojmë të themi, që filani vetëm kur pi është i dhunshëm, se kur nuk pi ke lezet me bo muhabet me të. Po harrojmë, që ai filani edhe kur nuk pi të rreh se do t’i japësh lekë me shku me pi ai tjetri.
Edhe ky shtet çfarë bën? Jep urdhëra mbrojtjeje dhe nuk i zbaton ato. Sa viktima kemi pikërisht gra që kanë qenë me urdhër mbrojtjeje dhe janë kthyer në viktima. Sa herë ka ndodhur që dikush ka vajtur në polici për të denoncuar dhunën, qoftë grua apo fëmijë, apo grua me fëmijë bashkë dhe polici i ka thënë: ‘Diçka e ke bo ti se kot nuk të rreh ai’. Pikërisht, prej këtij turpi, kësaj frike, këtij mentaliteti, prej kësaj frike për të vajtur në polici për të denoncuar, ndodh që dhunuesit marrin zemër dhe të arrijnë deri aty sa t’i vrasin ato të cilave u janë betuar se do t’i duan në të mirë dhe në të keq”,tha ndër të tjera Bes Kallaku.l.k/abcnews.al