Në të gjithë qarqet ka nisur me qetësi votimi i anëtarëve të Partisë Demokratike dhe mbështetësve të ish liderit Sali Berisha, për shkarkimin e Lulzim Bashës, vendim i miratuar në kuvendin e 11 dhjetorit një javë më parë.
Në Vlorë i pari që ka votuar është kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Genc Deromemaj. Në një prononcim për mediat ai është shprehur se entuziazmi do të shikohet në orët në vazhdim, kur demokratët të kenë vendosur me vullnetin e tyre të lirë vendimin për shkarkimin e Bashës.
Në Fier gjithashtu demokratët mbështetës të ish liderit Berisha janë drejtuar kutive të votimit në referendumin e thirrur për të votuar shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha.
Votimi do kryhet ne disa qendra votimi por dy qendra kryesore do te jene ne ish godinën e UFO pasi zyra e deges PD Fier është mbyllur ditë më parë me urdhër të Bashës.
Në Lezhë që në orën 08:00 ka pasur radhë të anëtarëve të PD-së për të votuar shkarkimin e kreut të PD-së Lulzim Basha, një vendim i marrë nga kuvendi i thirrur nga Sali Berisha me 11 dhjetor.
Berati është një tjetër qark ku ka vijuar normalisht procesi i votimit për referendumin e thirrur nga ish lideri i PD-së, Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Mes anëtarëve demokratë të Kukësit që janë drejtuar votimit në referendumin e thirrur nga kuvendi i thirrur nga Berisha me 11 dhjetor është parë edhe Ibsen Elezi ish kryetari i PD Kukes./abcnews.al