Artistët e evakuuar nga Afganistani falenderojnë Shqipërinë: Nuk do ta harrojmë bujarinë tuaj

schedule17:30 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 17:30 - 17 Dhjetor, 2021

Disa artistë afganë që u zhvendosën në Shqipëri kur talebanët moren pushtetin e vendit të tyre, përmes një murali në Tiranë po falenderojnë shqiptarët për mikpritjen dhe bujarinë e treguar. Përmes kësaj vepre artistët bënë gjithashtu thirrje që të mos harrohen kolegët e tyre që vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan.

Një grup artistësh afganë të evakuuar në Shqipëri pasi talebanët morën kontrollin e vendit të tyre, kanë pikturuar një mural në Tiranë, në shenjë falenderimi për vendin që i mirëpriti, ndërsa i kërkuan botës që të mos harrojnë bashkëkombasit e tyre në Afganistan.

Murali u pikturua në një ndërtesë në qendër të kryeqytetit shqiptar nga vullnetarë të organizatës afgane Artlords, ku viteve të fundit janë pikturuar edhe shumë vepra të tilla.

“Faleminderit Shqipëri! Nuk do të harrojmë“, thuhet në mural në gjuhën shqipe dhe “Vendi im është lodhur nga persekutimi”, shkruan në gjuhën afgane.

“Për fat të keq talebanët na i shkatërruan muralet, por tani çdo qytet në botë po mirëpret veprat tona. Kjo është një mënyrë për të ngritur zërin për afganët që janë marrë peng në shtëpitë e tyre. Kjo është një mënyrë për të qenë zë i atyre njerëzve dhe për të tërhequr vëmendjen tek Afganistani, që njerëzit të mos injorojnë atë që po ndodhë brenda atij vendi”, thotë Omad Sharifi, bashkëthemelues i organizatës “Artlords”.

62 anëtarë të organizatës “Artlords” kanë ngelur në Afganistan, në pritje të një mundësie për t’u larguar thonë kolegët e tyre në Shqipëri.

“Kolegëve tanë që vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan, u bëjmë thirrje të ruajnë sigurinë dhe të jenë të fortë. Ne do të vazhdojmë punën tonë“, thotë Yama Fahrad, artist afgan.

Organizata amerikane “Fondi Kombëtar për Demokraci”, ndihmoi në evakuimin e 288 afganëve dhe qëndrimin e tyre të përkohshëm në Shqipëri.

“Është një vepër arti nga miqtë tanë afganë, për të falënderuar popullin shqiptar, për të falënderuar gjithë Shqipërinë për mikpritjen dhe bujarinë e treguar”, thotë Damon Wilson, kryetar i fondacionit.

Shqipëria ka strehuar rreth 2 mijë e 400 afganë të evakuuar. Rreth 150 prej tyre tashmë janë larguar në vende të tjera. Pjesa tjetër do të qëndrojë në Shqipëri për rreth një vit derisa autoritetet amerikane dhe vendet tjera të përfundojnë shqyrtimin e vizave speciale për imigrimin e tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!