Kina ka konfirmuar rastin e parë me variantin Omicron, sipas mediave shtetërore. Sipas autoriteteve në qytetin verilindor kinez të Tianjin, i infektuari është një udhëtar që ishte kthyer nga jashtë pa specifikuar se nga cili vend, raportoi Tianjin Daily.
Ndërkohë, disa kompani kanë pezulluar punën në një nga qendrat më të mëdha të përpunimit të Kinës pasi autoritetet po përpiqen të frenojnë shpërthimet e Covid-19 duke ndaluar prodhimin e produkteve duke filluar nga bateritë dhe veshjet deri te ngjyrat e pëlhurave dhe prodhimi i plastikës.
Të paktën 20 kompani kanë ndërprerë veprimtarinë në një pjesë të provincës Zhejiang, një provincë me një sektor të madh industrial që përbën rreth 6% të PBB-së së Kinës dhe që prodhon shumë produkte për eksport. Dhjetëra mijëra njerëz janë karantinuar dhe fluturimet e brendshme janë pezulluar pasi një zyrtar i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë tha se shpërthimi në tre qytete – Ningbo, Shaoxing dhe Hangzhou kishte shënuar ritme të larta.
Të tre qytetet përbëjnë më shumë se 50% të PBB-së së provincës, e cila vitin e kaluar arriti në rreth 6.46 trilionë juan (1.02 trilion dollarë). Zhejiang raportoi 44 raste lokale më 13 dhjetor, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot, duke e çuar totalin në 217 në vetëm një javë.
Në Kinë, ku Covid-19 u shfaq për herë të parë dy vite më parë, vendi ka arritur të mbajë në kontroll përhapjen e virusit në pranverën e 2020 duke vendosur masa drastike kufizimi. Megjithatë, kanë ndodhur shpesh shpërthime sporadike.
Më shumë se 50,000 njerëz janë karantinuar në provincën bregdetare prej 64.4 milionë banorësh.
/abcnews.al