“PD është gati të përballet me cdo situatë”. Kështu u përgjigj Lulzim Basha kur u pyet nëse do të lejojë më Sali Berishën që të futet në selinë e PD-së, sikur ndodhi sot. Ish-kryeministrit Berisha, lideri aktual demokrat i kujtoi 21 Janarin e 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevard pas demonstratës.
“Skenari i sotëm ishte skenar provokimi, kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 Janar, por unë nuk iu përgjigja, sikur iu përgjigj Sali Berisha në 21 Janar. Ne do të ruajmë qetësinë, por do të kemi vendosmërinë totale për të mbrojtur interesin e demokratëve”.
Lulzim Basha siguroi demokratët për një gjë. “Nuk do të lejojmë asnjë horr, trafikant, asnjë hiç të vijë këtu për të marrë nëpërkëmbë dinjitetin e demokratëve, për këtë të jeni të sigurt.
Do të bëjmë me të gjitha ato virtyte që na karakterizojnë, ndërkohë që ata bënin si gorilla jashtë, ne vazhduam mbledhjen. Do ta bëjmë me vendosmëri pa u ngutur, ngutja e frikacakut i ka kushtuar kësaj partie” tha ai. Në 21 Janar 2011 Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.
Kryedemokrati e pranoi edhe një herë dualizimin në vendimmarrje përpara se të përjashtonte Sali Berishën nga grupi i PD-së në 19 shtator. “Pjesë e përgjegjësisë është që kam lejuar dualizëm, ka pasur, mbivendosje dhe protagonizëm të Sali Berishës, që “ky nuk iku dhe bëri sikur iku”. Ky dualizëm e ka dëmtuar PD-në” tha ai./ Abcnews.al