Raporti për korrupsionin: Shqipëria e Kosova hapa pas

schedule12:29 - 29 Janar, 2019

schedule 12:29 - 29 Janar, 2019

Raporti i fundit i organizatës, “Transparency International” e rendit Shqipërinë në vendin e 99-të nga 180 shtete që i janë nënshtruar matjes së shkallës së korrupsionit. Situata duket më e përkeqësuar krahasuar me një vit më parë duke pësuar rënie me 8 vende. Kosova radhitet e 93-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 85-të.

Korrupsioni vazhdon të mbetet alarm i kuq për Shqipërinë. Këtë e tregon Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018.

Si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi ynë është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë, duke lëvizur nga 31 sa kishte në vitin 2013 në 36 në vitin 2018. Megjithatë ajo ka shënuar rënie për dy pikë në krahasim me vitin e kaluar- sipas Transparency International I cili pret rezultate të tjera në të ardhmen.

“Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vetingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”

Shqipëria ka zbritur në vendin 99, nga 91 që ka qenë një vit më parë. E po kështu edhe Kosova nuk ka ngritje në tabelën e mos të paturit korrupsion, përkundrazi. Në vitin 2018 radhitet e 93-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 85-të. Raporti i Transparency International sqaron se kjo lëvizje negative vjen pasi disa nga sfidat më të mëdha  kundër korrupsionit në Kosovë përfshijnë transparencën e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundim të dobët të ligjit dhe hapësirë të pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.

Indeksi Perceptimit të Korrupsionit radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit.Zero tregon për një vend shumë të korruptuar ndërsa 100 një vend shumë të pastër. Asnjë shtet nuk e ka arritur këtë nivel. Kryesuesja e tabelës është Danimarka me 88 pikë dhe e mbyll Somalia me 10 pikë./abcnews.al