Danimarka “kopjon” Trump, mur me gjemba kundër derrave gjermanë

schedule23:56 - 28 Janar, 2019

schedule 23:56 - 28 Janar, 2019

Danimarka është vendi i parë që ka kopjuar stilin e Donald Trump në ngritjen e mureve kufitare. Vendi nordik ka nisur ngritjen e një gardhi me tela me gjemba në kufi me Gjermaninë, për të ndalur jo krimin dhe drogën, sikurse pretendon Trump, por fluksin e derrave gjermanë.

Autoritetet në Danimarkë kanë nisur ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba përgjatë kufirit me Gjermaninë, në përpjekje për të mbajtur larg derrat e egër që vijnë nga vendi fqinj. Struktura do të jetë e gjatë 70 kilometra, e lartë 1.5 metra dhe me një kosto modeste prej 4.6 milionë dollarë, nëse krahasohet me atë të murit me Meksikën të kërkuar nga presidenti Donald Trump. Përveç ndaljes së fluksit fizik të derrave, ajo do të ketë si qëllim edhe parandalimin e përhapjes së etheve që vijnë nga këto kafshë. Punimet për garadhin nisën ditën e hënë në Padborg, një qytet që ndodhet në kufi me Gjermaninë.

Politikanët danezë autorizuan ngritjen e murit në qershor të vitit të kaluar, pasi qeveria paralajmëroi se eksportet e derivateve të derrit në vendet jashtë Bashkimit Europian, që arrijnë një vlerë prej 1.6 miliard dollarë, mund të dëmtohet nga ethet derrave që vijnë nga Afrika. Ndryshe nga gripi i derrave, ethet afrikane nuk i prekin njerëzit, por mund të jenë fatale për derrat dhe kafshët shtëpiake, duke shkaktuar një humbje masive për fermerët. Por kritikët thonë se gardhi do të dëmtojë botën e egër dhe është më tepër një gjest simbolik ndaj një problemi joekzistent. Ata thonë se kafshët mund të kalojnë përmes boshllëqeve të gardhit, të përshkuara nga rrugë dhe përronj. Danimarka, me një popullsi prej 5.7 milionë banorë, është i vetmi vend i BE-së ku derrat ua kalojnë njerëzve, me një përpjestim prej 215 derra çdo 100 banorë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!