Nedim Bajrami, autor i një goli dhe një asisti në ndeshjen e fundit të Empolit kundër Udinese, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport” dhe flet për numrin 10, zgjedhjen e Shqipërisë dhe modelin e tij si futbollist.
“Ia dola ta merrja numrin 10. Në Zvicër kur isha fëmijë e fillova me 30. Më pas tek Empoli kalova te numri 11, tani kam marrë 10-shin, që është numri im i preferuar”, thotë Bajrami.
Ai nuk ka dyshime për rolin në fushë: “Trekuartisti është roli im i preferuar, por kam luajtur edhe mesfushorin e majtë në 4-3-3 në Zvicër. Godas me të djathtën, por përpiqem të përdor edhe këmbën e majtë”.
Modeli i tij është një organizator i famshëm:“Zinedine Zidane ka qenë modeli im gjithmonë. Më pëlqente shumë kur isha në akademinë e të rinjve. Ai është padyshim modeli im që duhet ndjekur”.
Përse Nedim Bajrami vendoste të luante për Shqipërinë? “Kam arsyetuar me zemër, më kanë thirrur dhe nuk kam menduar dy herë”, përfundon mesfushori i Empolit dhe kombëtares kuqezi. / abcnews.al