Gazetari “ABC” në Lezhë Gjergj Figuri mëson detaje të reja nga operacioni i policisë që u zhvillua dje që parandaloi një atentat kundër një personi në Kamzë. Tre persona u arrestuan, një çift i moshuar pronar i një restoranti dhe dhëndëri i tyre, dy janë në kërkim.
Por si u zbuluan?
Një njeri i brendshëm dyshohet se ka tradhtuar grupin duke treguar për armatimin e rëndë që ishte në biznesin në pronësi të çiftit. Në momentin që policia ka shkuar për kontroll, Mark Lamkja, dhëndri i Nikoll Markut dhe Marie Markut ka kundërshtuar. “Largohuni se nuk keni arsye për të kontrolluar këtu” ishin fjalët e tij.
Por policia është futur brenda duke gjetur arsenalin e armëve dhe eksplozivit, poshtë krevatit të çiftit të moshuar. Policia deklaroi dje që bëhet fjalë për larje hesapesh për prishje të pazareve të drogës jashtë vendit mes personave të implikuar dhe shënjestrës, por gazetari Gjergj Figuri shprehet se nuk përjashtohet mundësia që të kemi të bëjmë me vrasës me pagesë.
Tre të arrestuar
Të arrestuarit në kuadër të operacionit “Mataro” janë Mark Lamkja, vjehrri i tij Nikoll Marku dhe vjehrra Marie Marku, ndërkohë që në kërkim janë shpallur Edmir Vlashi, që është dhëndri i dytë i familjes Marku dhe Hektor Ndoka.
Hektori që është është shok dhe bashkëpunëtor i Edmirit e ka ndërruar mbiemrin nga Sadiku në Ndoka. Po ashtu edhe Edmir Marku e ka ndërruar mbiemrin për shkak të konflikteve duke e bërë Vlashi.
Arsenali i armëve
Nga operacioni u sekuestruan 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë. 88.900 euro, të ndara në tufa mes tyre me 500-çe të cilat sipas policisë janë të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike.
Gjithashtu u sekuestruan 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë, 2 skafandra motori dhe një makinë.
Armët e sekuestruara sipas policisë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë./ db/Abcnews.al