Ministrja e Arsimit Besa Shahini në një deklaratë informuese për mediat lidhur me pyetjet e ngritura nga studentët mbi mënyrën e funksionimit të shpërndarjes së bursave dhe aplikimit të përgjysmimit të tarifës, edhe pse një përgjigje për apelin e dekanit Hoxha nuk e kishte, një thirrje ia drejtoi universiteteve ku mësimi vijon i bllokuar.
“Dua edhe njëherë të konfirmoj se qeveria e ka ndarë buxhetin dhe e ka vënë në dispozicion të arsimit të lartë. Përgjysmimi i tarifës ka hyrë në fuqi menjëherë dhe studentët përfitues e kanë ndjerë efektin ngaqë nuk janë detyruar të paguajnë tarifën e plotë. Studentët të cilët kanë paguar tarifën e plotë janë në proces të rimbursimit. Gjithashtu kemi marrë informacion nga universitetet që do të shtyjnë afatin që është data 31 janar për pranimin e dokumentacionit të nevojshëm për bursat, në mënyrë që t’u lihet më shumë afat studentëve në nevojë për plotësimin e dokumentacionit.
Për notën mesatare 9 dhe 10 te studentët e vitit të dytë dhe të tretë merret parasysh mesatarja gjatë viteve të universitetit. Për studentët e vitit të parë e ciklit të parë merret parasysh mesatarja e arsimit të mesëm. Është bërë kalkulimi dhe i është dërguar universiteteve. Për kategoritë e veçanta deri vitin e kaluar bursa është ndarë në një bashkëpunim mes universitetit dhe bashkive, por nga ky vit duhet ta përmend se bursat do të jepen nga qeveria. Ju bëj apel të zëvendësoni orët e humbura sa më parë, të bëni angazhim të plotë për të zëvendësuar mësimin”./abcnews.al