Kreu i Shoqatës së të Verbërve, Ardjan Hysa: Pengu më i madh, mungesa e imazhit të nënës sime

schedule23:37 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 23:37 - 8 Dhjetor, 2021

“Unë nuk di se çfarë janë ngjyrat, çfarë janë objektet, por unë arrij të shoh me sytë e atyre që më duan e që më rrinë pranë”. Kështu u shpreh për emisionin “Refleksione” në ABC presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Ardjan Hysa, duke rrëfyer rrugëtimin e tij për të integruar vetveten në përditshmëri. Ai ka rrëfyer se ka humbur shikimin në moshën 2- vjeçare, kur nuk kishte asnjë perceptim për ngjyrat, për objektet.

“Ndonjëherë mendoj se më mirë që ndodhi në atë moshë, sepse na ka dhënë mundësinë të stërvitemi, që të përshtatemi me ambientin. Unë ndihem me fat që familja ime më ka inkurajuar që të eci, të shkollohem e të gjej sot udhën që duhet. Por pengjet e mia janë më së shumti me imazhin e nënës sime, të fëmijëve të mi, të dashurisë sime. Mospasja e një imazhi për nënën është pengu më i madh në jetë. Por unë gjithsesi jam me fat, pasi në jetën time kam parë me sytë e tyre, me dashurinë e tyre”, tha Hysaj.

Ai madje iu referua edhe poetit, shkrimtarit dhe eseistit të famshëm, Jorge Luis Borges, për ngjyrat që mungojnë për mendjen e një të verbri, por gjithsesi, sipas tij ata krijojnë imazhet e tyre, perceptimet për botën dhe ngjyrat. Dhe këto janë ngjyrat e botës së tyre.

“Unë bëj stërvitje me përfytyrimin tim, me mendjen time, kështu që imazhin e nënës e krijoj herë pas here. Kjo më ndodh edhe me familjen time”, tha Hysaj, duke treguar se është bazuar te letërsia për të patur një figurë për të bukurën në mendjen e tij.  “Unë mendoj se e bukura është diçka emocionuese, e ndryshme. Kjo vlen për ata që lindin të verbër ose për raste si mua, që e humbin pa krijuar koncept për ngjyrat dhe objektet. Kurse  ata që e humbin më vonë, kanë një imazh më të përafërt me realitetin.  Sipas  studimeve, ata ndiejnë edhe më shumë traumë se sa ne, që nuk e kemi pasur kurrë”, tha Hysaj në “Refleksione” në ABC.

Ndërkaq, Hysa, i diplomuar në Shkencat Juridike në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në vitin 2001 dhe që ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë Belsh, e më pas Përgjegjës i Departamentit për Burime Njerëzore dhe përfaqësues ligjor i kësaj bashkie, shprehet se shoqëria shqiptare ka ende për të bërë shumë, që kjo shtresë të gjejë rrugët e mbijetesës.

“Unë  dhe shumë nga miqtë e mi, nuk jemi të shqetësuar thjesht për mbështetje për mbijetesë sociale, por për të na dhënë mundësinë që të integrohemi përmes aftësive tona”, tha Hysa, teksa u bëri apel institucioneve që t’u japin mbështetje shtresave me aftësi ndryshe, që të gjejnë sa më shumë hapësira në shoqëri, duke nisur nga arsimimi e deri te punësimi.

Nga kamera e “Refleksioneve” në ABC, Hysa nuk ka preferuar që të ankohet për fatin që u ka dhënë Zoti atyre që kanë aftësi ndryshe, por më shumë ka kërkuar t’i kujtojë shoqërisë  që “të mos bëhet e verbër shpirtërisht përballë atyre që iu është privuar shikimi”. Hysa falenderoi familjarët e tij që në rrugëtimin e tij e kanë shtyrë të besojë se mund t’ia arrijë. “Unë shoh me ata që më duan”, ka përsëritur disa herë Hysa, teksa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të bëjnë gjithçka që kjo shtresë të mos ndihet e braktisur nga shteti./abcnews.al