Novak Djokoviç fitoi turneun Grand Slam në Australian Open, duke mundur thellë spanjollin Nadal në finale. Tenisti serb u bë rekordmen në Melburn.
U bënë 15 dhe mund të shtohen. Novak Djokoviç luajti ndoshta finalen më të mirë, dhe me shumë gjasë pati fitoren më të lehtë, ndërsa siguroi titullin Grand Slam të radhës në Arenën e shkëlqyer të Melburnit. Ky ndaj Rafael Nadalit, ishte titulli i 7-të në Australian Open për tenistin serb, që theu rekordin që e mbante së bashku me legjendat Roi Emerson e Roger Federer.
Tenisti më i mirë i Ballkanit për të gjitha kohët, dhe njëri nga më të mirët në histori, në të gjithë botën, nxorri të gabuar të gjithë parashikuesit, duke triumfuar 3-0 me sete ndaj një sportisti kaq të lavdishëm sa Nadali. Setet u fituan 6-3, 6-2 e 6-3 në dy orë e 4 minuta, shumë pak për duelin mes dy gjigandëve të tillë. Le të kujtojmë se në vitin 2012, Djokoviçi e Nadali patën një finale prej gati 6 orësh, me serbin që fitoi edhe atëherë.
I mbiquajturi Nole ishte favorit që prej fillimit të turneut, ndërsa fitoi Grand Slamin e tretë radhazi, pas Uimbëlldonit dhe US Openit. Është hera e tretë që ai fiton tre Grand Sleme radhazi, diçka që nuk e ka bërë asnjë tenist në histori. Djokoviç tregoi se përse ka epërsi në duelet direkte me Nadalin, me 28 fitore ndaj 25 humbjeve, ndërsa bilancin e ka pozitiv edhe me Roger Federerin.
“Mezi arrij ta besoj këtë që më ka ndodhur në 12 muajt e fundit, – ishin fjalët e tij, në ceremoninë pas fitores, – një vit më parë isha ende duke marrë veten pas operacionit, ndërsa tani kam tre Grand Sleme të fituara radhazi. Nuk kam fjalë. Ky është, padyshim, turneu më i madh i botës”.
Në moshën 31-vjeçare, Djokoviç shpreson të kalojë edhe dy legjendat që mbeten para tij, pikërisht Nadalin që ka 17 Grand Slam-e, dhe rekordmenin botëror, Federerin me 20./abcnews.al