FMN kërkon transparencë për fondet e tërmetit dhe pandemisë

schedule22:31 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 22:31 - 7 Dhjetor, 2021

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi të martën qeverisë shqiptare të ndërmarrë “menjëherë” masa për të krijuar sistem transparence dhe llogaridhënie për fondet e stërmëdha që po shpenzohen për dy krizat që goditën vendin gjatë viteve të fundit, tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës dhe pandemia e koronavirusit të ri. Fondi e bëri kërkesën në deklaratën për shtyp të publikuar pas mbylljes së konsultimeve të radhës për nenin 4 të marëveshejs së anëtarësimit. Deklarata nuk bën të ditur se cilat janë masat që duhen ndërmarrë apo se për çfarë arsyeje del e nevojshme të ndërmerren masa të tilla. Të dyja, fondet e rindërtimit dhe fondet për pandeminë, menaxhohen nga qeveria shqiptare përmes një skeme të veçantë nën përgjegjësinë e ministrit të rindërtimit dhe të pandemisë, Arben Ahmetaj.

Në deklaratë, fondi përsëriti kërkesën e mëparshme ndaj qeverisë që të rishikojë në kuadër të përdorimit efikas të fondeve, politikat e saj në fushën e investimeve publike, “përfshirë partneritetet publike- private”, kërkesë që e ka bërë rregullisht përgjatë viteve të fundit pa marrë ndonjë reflektim nga ana e qeverisë. Fondi ishte gjithashtu kritik me pretendimet e qeverisë për menaxhimin e borxhit publik në terma afatmesëm, duke paralajmëruar se borxhi publik do të arrijë në 81% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit dhe se në vitin 2026, pra pesë vjet më vonë, do të vijojë të jetë në nivelin 74%. Sipas fondit, Shqipëria ka nevojë të hyjë në një “plan të besueshëm” për konsolidim fiskal, pa shpjeguar se çfarë ka të pabesueshëm plani aktual i qeverisë. Sipas vlerësimeve të qeverisë, borxhi publik këtë vit do të jetë 75% e PBB-së dhe jo 81 ndërsa në vitin 2024 do të bjerë në 72%. Diferenca është në rendin e qindramilionë eurove.

“Drejtorët nxitën autoritetet të zbatojnë menjëherë masa për transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimet emergjente dhe fondet me subjekt rindërtimin me kontrolle të përshtatshme për menaxhimin financiar publik,” shkruhet në deklaratën e fondit.

“Shqipëria ka nevojë të ndërmarrë konsolidim fiskal të besueshëm në bazë të të ardhurave të fiksuara në një Strategji të shëndosë Afatmesme,” shkruhet më tej në deklaratë.

“Eficenca e ulët e shpenzimeve publike duhet të reduktohet dhe mbështetja fiskale duhet të shënjestrojë ato që janë më të nevojshme. Drejtorët theksuan më tej rëndësinë e fuqizimit të cilësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike. Do të jetë me rëndësi kritike të trajtohen mangësitë në menaxhimin e investimeve publike, përfshirë partneritetet publike dhe private, dhe për të fuqizuar besueshmërinë e kuadrit buxhetor dhe fiskal,” shkruan më tej deklarata.

FMN parashikon që rritja ekonomike afatmesme e Shqipërisë do të jetë 3.4% në vit, një rënie e konsiderueshme kjo me periudhën para krizës, kur vlerësimi i potencialit të Shqipërisë ishte për rritje prej 4% në vit.

“Rritja afatmesme pritet të konvergjojë në potencialin e saj prej 3.4%, e mbajtur ulët nga faktorë demografikë negativë,” thuhet në deklaratë.

Popullsia e Shqipërisë është prej vitesh në pakësim dhe plakje, kryesisht si pasojë e emigrimit masiv të të rinjve që nuk shohin të ardhme me mirëqenie në vendin e vet./BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!