Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Fati i lojërave” ka goditur një tjetër rast në Tiranë duke arrestuar një person, që e kishte kthyer lokalin në lloto.
I arrestuari është H. K., 39 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në rrugën “Ferit Xhajko”, të cilin e kishte vënë në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një aparaturë dekoder dhe një aparat celular që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm. Policia ka publikuar edhe njërën nga skedinat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”./ Abcnews.al