Emisioni Vetting:
Rritja e pretenduar në programin qeveritar me 5 për qind çdo vit e pensioneve ishte një nga pikat ku maxhoranca mbështeti suksesin e qeverisjes së saj, gjatë fushatës elektorale të 25 prillit.
“Nuk ka qenë rritja 5 për qind. Ka qenë shumë më e vogël, ka qenë pothuajse sa indeksimi. Pra trasparenca është një kusht i domosdoshëm, ku qeveritarët të shikojnë veten e tyre edhe të ballafaqohen. Aq më tepër që kryeministri ka kërkuar që të shmangim luftën shterp në politikë, për ta bërë këtë hapin e parë duhet ta bëjë qeveria, përmes ISSH duke bërë një transparencë të saktë se sa është rritja e bërë deri më tani”, shpjegon eksperti Koço Broka.
Mirëpo realiteti shfaqet ndryshe. Edhe nëse lëmë jashtë llogarive, periudhën e emergjencës pandemike të vitit 2020, prej vitin 2013 deri në vitin 2019, sipas një analize të ekspertit të ekonomisë Azmi Stringa, pensioni mujor urban është rritur mesatarisht me 2,4 për qind në vit. Ndërsa pensioni rural me 3,5 për qind në vit. Thënë më thjesht pensionistët e qytetit kanë përfituar mesatarisht 363 lekë në muaj, ndërsa ata të zonave periferike 283 lekë në muaj.
Në këtë situatë mjerimi, siç thekson eksperti i pensioneve Koço Broka pensionistëve u duhet të jetojnë mesatarisht 22,8 vjet të jetës së tyre. Duhet të ishin këto për ta vite shplodhje, të gëzonin pensionin në kohë demokracie. Por në fakt, përtej propagandës, ritmi i rritjes së pensioneve të tyre, siç shpjegon Broka, është më i ulët edhe se në kohë të diktaturës.
“Niveli mesatar i pensioneve në vendin tonë është mjaftë i ulët. Ai është rreth 16 mijë e 500 lekë të reja. Pensioni mesatar ky, se pensionet e ulta janë shumë më të ultë. Ndërkohë që ritmi i rritkes së pensioneve në krahasim me në monizmin është mjaft i ulët. Në qoftë se niveli mesatar i pensioneve në vitet ‘90 ka qenë 423 lekë, çmimet janë rritur mesatarisht 32 herë në 2020, krahasuar me vitin 1990. Pra, i vete një nivel pensioni prej 135 mijë lekësh, kur niveli nominal i pensionit është 160-170 mijë lekë, kemi një rritje fare të vogël, 20-30 për qind. Kemi një nivel shumë të ulët pensioni nëse kemi parasysh, se niveli mesatar është kaq. Ndërsa, pjesa më e madhe marrin një nivel shumë të ulët që nis nga pensioni social prej 78 mijë lekë, deri në pensionin mesatar. Pra ky është një problem tepër i madh dhe me këtë nuk arrihet dhe minimumi jetik i domosdoshëm. Çdo rritje e çmimeve, tej një niveli të caktuar është tepër e ndjeshme. Prandaj rritja e çmimeve që po ndodh në botë edhe që pritet sot të ndodh në botë e që ka nisur dhe në vendin tonë me çmimin e bukës dhe të produkteve të tjera të konsumit është tepër i ndjeshëm ndaj pensionistëve”, shton më tej Broka./abcnews.al/