Marrëveshja e Prespës duhet të shërbejë si precedent për zgjidhjen e kontesteve të tjera në Ballkan dhe Europë. Ka qenë ky reagimi i Brukselit pas ratifikimit të paktit nga Parlamenti grek. Në të njëjtën linjë, liderët ballkanas kanë deklaruar se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Greqisë është pritur me ovacione në Ballkan dhe mbarë Europën. I pari që e ka përshëndetur këtë hap të rëndësishëm të politikës greke ka qenë kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili ka uruar homologun Aleksis Tsipras, të cilin e ka cilësuar “mikun e tij”.
“Urime miku im Aleksis Tsipras! Bashkë me kombet tona shënuam një fitore historike! Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës dhe po ashtu paqja dhe integrimi i Ballkanit në Europë”, ka thënë Zaev në profilin e tij në Facebook.
Nga Brukseli, presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker, shefja e Politikës së Jashtme Federika Mogerini dhe komisioneri Johanes Hahn e kanë përshëndetur në unison ratifikimin.
“Që nga fillimi BE e mbështeti fuqishëm marrëveshjen historike të kryeministrave Tsipras dhe Zaev. U desh guxim, lidership dhe përgjegjshmëri që të tejkalohej një nga kontestet më të vjetra në rajon”, thuhet në një deklaratë të liderëve të BE. Ata vlerësojnë se, marrëveshja do të shërbejë si shembull për pajtim në të gjithë Europën dhe do të nxisë perspektivën europiane për rajonin.
Ndërkohë, nga Prishtina, kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar një “hap historik” ratifikimin e marrëveshjes së Prespës.
“Edhe njëherë u konfirmua se rruga e vetme për stabilitet në rajon është ajo e dialogut dhe e paqes. Ballkani po ecën i sigurt drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Haradinaj në Facebook. Ndërsa ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka vlerësuar lidershipin e treguar nga kryeministrat Tsipras dhe Zaev për marrjen e vendimeve të guximshme për të ardhmen e dy vendeve. “Ky është një hap i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, ka shkruar Pacolli në rrjetet sociale./abcnews.al