Një në 3 gra dhe një në 5 burra mbi 50 vjeç sipas studimeve ndërkombëtare pësojnë një frakturë osteoporotike gjatë jetës së tyre. Kockat me kalimin e kohës humbasin mundësinë të rigjenerohen, dobësohen dhe thyhen më lehtë.
“Besoj të gjithë e kanë vënë re që gjyshërit tanë janë të gjithë përkulur përpara, këto janë shenjat e para të një osteoporove e cila tashmë ka dalë nga gjendja fiziologjike dhe është shndërruar në sëmundje. Sigurisht që duhet mjekuar sepse një frakturë e këtyre gjyshërve mund t’u kërcënojë edhe jetën” tha ai.
Mosha dhe sëmundjet shoqëruese të pacientëve sipas kirurgut ortoped Dritan Todhe e kthejnë në sfidë trajtimin e problemit. Në spitalin “Hygeia” në Tiranë zgjidhja është gjetur përmes teknikave të fundit të mjekësisë.
“Futja e teknikave të reja për trajtimin e këtyre frakturave sa më mini invazive bën që këta pacientë nëse operohen shpejt nga thyerja që ata pësojnë, mundësisht brenda disa orëve, të nesërmen çohen sërish në këmbë.
Ecin me patericë për disa javë derisa e heqin përsëri atë patericë. Teknikat e reja që janë futur këtu tek ne nënkuptojnë edhe trajtimin e frakturave të tjera përveçse atyre të rrëzës së kofshës, të atyre të kyçit të dorës, të këmbës. Me mbushje, pa allçi. Me mbushe me substanca të caktuara që zëvendësojnë atë kockë të plakur, të zbrazur nga kalciumi” tha ai.
Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë. Prandaj mjekët specialistë rekomandojnë kryerjen e ekzaminimit DEXA me qëllim trajtimin në kohë dhe me sukses të sëmundjes./ Abcnews.al