Lea Ypi: Ju rrëfej përse e shkrova librin “Të lirë”

schedule23:35 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 23:35 - 1 Dhjetor, 2021

Profesoresha në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics” në Londër, Lea Ypi, ka rrëfyer edhe shtysën për idenë e librit “Të rritesh në fund të historisë”, që është nëntitulli i librit “Të lirë”.

“Ky titull e ka zanafillën te ajo ide e Fokujamës që e shihte fundin e historisë si triumf i liberalizmit, pasi, sipas tij, shoqëria ka arritur në fundin e saj pasi nuk ka më alternativa ideologjike. Por si mund të rritesh me ideologjinë se nuk do të ketë më ideologji. Por si mund të rritesh në një kohë që mendon se ai sistem është më i drejti. Kjo bën që shumë njerëz të pranojnë këtë zgjidhje pavarësisht se si aplikohet”, tha Ypi, duke shpjeguar se kjo teori e Fokujamës, se historisë i ka ardhur fundi, ka ndikuar shumë politika në fund të shekullit të kaluar,  duke shkaktuar  marrjen e masave ndonjëherë më pasoja për klasën punëtore, për të shtypurit, për pakicat.

Sipas saj, të rritesh në fund të historisë do të thotë të rritesh me mendimin se nuk ka alternativa.

“Për mua kjo është e gabuar, pasi pastaj bëhet e pakuptimtë që ne të rebelohemi ndaj instituciuoneve, pasi ashtu shkojmë drejt pranimit të realiteti socio-politik. Kjo rrezikon t’i shtyjë shoqëritë, sidomos të rinjtë, drejt indiferencës dhe cinizmit ndaj asaj që ndodh rreth tyre”, tha Ypi. Për të, të rritesh në fund të historisë  do të thotë të kuptosh se historisë nuk i vjen kurrë fundi, që historia është një proces ngjarjesh, njerëzish dhe situatash, ku botëkuptimet janë gjithnjë të ndryshme, që sjellin pasoja institucionale.

Lexo edhe: Lea Ypi: Mbiemri në jetën e familjes sime, herë barrë e herë krenari

Sipas Ypit, për sa kohë ka pluralizëm është e rëndësishme që të kanalizohen mosdakordësitë që të mos jenë shkatërruese, por që të na çojnë në një debat mes pjesëve të ndryshme të shoqërisë.

“Për mua funksioni i artit është funksioni kritik dhe social. Unë besoj se përmes artit ne hapim një dialog, që i referohet të kaluarës, i referohet të ardhmes, i referohet vizioneve të ndryshme, edhe ata që nuk binden nga ana politike, mund të jenë në gjendje që, duke lexuar veprat e artit mund të zbusin atë pjesë të zemëruar dhe acaruar brenda tyre. Unë besoj se përmes veprave mund të kenë mundësinë e shkëmbimeve estetike, që janë edhe shkëmbime kulturore, të cilat mund të pasohen edhe  në shkëmbimet politike dhe sistemeve shoqërore”, tha Ypi, duke përsëritur me këmbëngulje se historinë nuk i vjen asnjëherë fundi.

Lexo edhe: Lea Ypi: Diktatura na ka bërë mosbesues, por është detyrimi ynë moral të kemi shpresë

“Të rritesh në fund të historisë për mua nënkupton të rritesh me vetëndërgjegjësimin e pluralizmit të alternativave. Arti, librat dhe format e tjera të komunikimit mund të ndikojnë që njerëzit të jenë më të kuptueshëm, nëse vihen në jetë në mënyrën e duhur”, tha Ypi për “Refleksione” në ABC./ Abcnews.al