FBI ka ngritur krye kundër presidentit Donald Trump, për shkak të bllokadës qeveritare. Agjencia federale e anatemuar shpesh herë nga kreu i shtetit ka deklaruar se bllokimi i fondeve për institucionet po e çon sundimin e rendit dhe ligjit në Shtetet e Bashkuara në buzë të humnerës.
Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara ka dalë kundër presidentit Donald Trump në lidhje me bllokadën qeveritare. Përmes shoqatës që përfaqëson 13 mijë agjentë federalë, FBI ka paralajmëruar se pezullimi i shërbimeve qeveritare po vë në rrezik luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në deklaratë nënvizohet se, burimet e nevojshme njerëzore për të mbështetur punën hetimore të agjentëve janë gjithmonë e më të tkurrura.
“Po përballemi dita ditës me një reduktim që rrezikon ta çojë vendin drejt humnerës”, thuhet në deklaratën e FBI-së.
Për vitin 2019, agjencia federale më e njohur në botë ka kërkuar një buxhet prej 9 miliardë dollarësh dhe bllokimi që presidenti Trump u ka bërë fondeve për institucionet po jep efektet e tij. Pa harruar këtu se institucioni i themeluar nga Jay Edgar Hoover ka qenë objekt i kritikave të ashpra nga presidenti për shkak të hetimit mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e vitit 2016, që i dhanë atij fitoren. Pak muaj nga marrja e detyrës, në fillim të 2017-s, Trump shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey, ndërsa pasardhësi i tij Christopher Wray paralajmëroi me dorëheqje për shkak të presionit politik./abcnews.al