Një nga kërkesat e studentëve në protestat e tyre ka qenë edhe rishikimi i titujve shkencorë të pedagogëve dhe plagjiaturat. Kjo pikë është shikuar edhe në Paktin për Universitetin. Sipas ministres së Arsimit, Besa Shahini, qeveria është e gatshme të ndihmojë universitetet në këtë pikë. Sipas saj është detyrim ligjor i universiteteve të merren me plagjiaturat, por qeveria po ndërhyn sepse e kanë kërkuar studentët.
“Ishte një nga kërkesat e studentëve që të bëhej verifikimi i titujve dhe të bëhej verifikimi i plagjiaturave. Kjo është një kërkesë ligjore që i përket universitetit. Universiteti do duhej të kishte vendosur një sistem që kontrollon jo vetëm plagjiaturën e doktoraturave dhe diplomave të Masterit dhe Bachelorit e të tjera, por edhe që në njëfarë mënyre e mëson studentin si duhet të kryejë një punim diplome pa kryer plagjiaturë. Është detyrim ligjor që vjen edhe nga akreditimi.
Ngaqë universitetet nuk arritën ta bëjnë duke u ankuar se nuk ka softe për plagjiaturën, ato që ekzistojnë janë shumë të shtrenjta ne u ofruam të bëjmë dy gjëra. E para që të krijojmë arkivin dixhital dhe e dyta që të blejmë softëare-n fillestar i cili kontroll ngjashmëritë me atë që është botuar jashtë dhe pastaj i shkon universitetit për t’u vërtetuar nga komisionet e etikës nëse është plagjiaturë apo ngjashmëri e një tjetër lloji. Nëse universitetet janë të gatshme ta bëjnë vetë dhe kanë nevojë për ndihmën tonë tek pjesa e softëare, ne jemi të gatshëm ta bëjmë. Nëse universitetet arrijnë të krijojnë një plan të kontrollit të plagjiaturës dhe e bëjnë ata vetë ngaqë qeveria nuk duhej të ndërhynte. Qeveria është detyruar të ndërhyjë ngaqë studentët e kanë kërkuar”, tha Shahini.
Sipas ministres, në momentin, që pedagogët dhe universitetet ofrojnë plane për zgjdihjen e kësaj çështje, qeveria është e gatshme që të qëndrojë dhe t’i asistojë.
“Zgjidhja afatgjatë e plagjiaturave vjen nga pedagogët dhe nga drejtuesit e universiteteve, kështu që momentin e parë që ata janë të gatshëm të ofrojnë një zgjdihje që nuk e kanë ofruar deri më sot, dhe që kanë detyrim ligjor ata ta ofrojnë një zgjidhje, momentin e parë që shohim plane komnkrete ne thjeshtë jemi ay për të asistu në planet që sjellin”, tha Shahini./abcnews.al