Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Në Shqipëri që prej vitit 1993 janë rreth 1500 raste në total, nga të cilat 71% e të prekurve janë meshkuj dhe 29 % femra.
Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.
Dita Botërore e HIV/AIDS-it organizohet nën sloganin
“Drejt zeros: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS”
Faktet kryesore për HIV/AIDS
- HIV vazhdon të jetë një çështje madhore globale e shëndetit publik që ka marrë më shumë se 34 milionë jetë deri tani. Vetëm në vitin 2014, rreth 1.2 milionë njerëz kanë vdekur globalisht nga shkaqe të lidhura me HIV-in.
- Në nivel global, deri në fund të vitit 2014, numri i personave që jetojnë me HIV ishte rreth 36.9 milionë, me 2 milionë raste të reja vetëm në vitin 2014.
- Infeksioni HIV diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Këto teste japin rezultate të shpejta; esenciale për diagnozën dhe trajtimin e hershëm.
- Nuk ka shërim për infeksionin HIV. Megjithatë, trajtimi efektiv me medikamente antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojë virusin në mënyrë që personat me HIV të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
- Është vlerësuar se, aktualisht vetëm 51% e personave me HIV dinë statusin e tyre të infektimit me HIV, pra nëse ata janë të infektuar apo jo.
- Në vitin 2014, 14.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, të cilët përfaqësojnë 40% të personave që jetojnë me HIV, morën terapi antiretrovirale në nivel global.
Çfarë është HIV-i?
HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Virusi shkatërron dhe dëmton gradualisht funksionin e qelizave të imunitetit. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave CD4.
Çfarë është AIDS-i?
AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS është dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar të tij. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportunistë apo të kontrollojë disa tumore, duke u shfaqur edhe AIDS. AIDS apo i njohur si SIDA është përcaktuar si zhvillimi i disa lloje kanceri, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS-it. Kjo do të thotë që një person i cili është i infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk është me patjetër i sëmurë me AIDS. Ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.
Cilat janë shenjat e AIDS-it?
Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre/statusit pozitiv deri në fazat e vonshme.
Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit. Koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave është e pamundur të llogaritet. Kjo kohë është e ndryshme për persona të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale dhe psikologjike. Me futjen e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe sigurisht mbijetesa e të sëmurëve.