Gazetari Eni Ferhati i ftuar në emisionin “Log.” në ABC ka folur në lidhje me hetimet për tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019. Ferhati u shpreh se në Durrës janë lënë të lirë personat që po hetoheshin për shembjen e subjekteve ku pati viktima. Ndërsa në Tiranë, sipas gazetarit, situata është akoma më kaotike pasi prokuroria nuk jep informacion për hetimet.
“Më shumë kemi viktima se persona që janë marrë të pandehur në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit. Në Durrës ndodh çudia që një biznesmen i dënuar ku në lokalin e tij humbën jetën dy shtetase sot është i lirë. Në Tiranë kemi një situatë me kaotike. Prokurori nuk jep përgjigje sepse është me leje. Vetëm 8 persona janë çuar për gjykim për dëmet në zonën e Farkës ndërsa në pjesën tjetër nuk ka pasur përfundime për hetimet”, deklaroi Ferhati.
Nga ana tjetër gazetari i ABC Ermal Vija deklaroi se prokuroria e Lezhës ka pushuar hetimet në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti, ndërkohë që më e rëndë paraqitet situata më Krujë në lidhje me pallatet e shembura në Thumanë.
“Prokuroria e Lezhës ka pushuar hetimet. Më e rënda është situata në Krujë. Dy pallatet në Thumanë kanë pasur edhe një tjetër problematikë pasi kanë qenë të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Dokumentet janë administruar nga prokuroria e Krujës dhe akoma nuk ka një përfundim kush janë personat që janë marrë nën hetim. Ende sot e kësaj dite prokuroria nuk ka mbyllur hetimet. Menjëherë pasi ndodhi tërmeti në Prokurorinë e Tiranës u bë një bujë e madhe dhe u lëshuan 42 urdhër arreste. Sot e kësaj dite shumica po hetohen pa një masë sigurie”, tha Vija. m.v/Abcnews.al