Spitali Amerikan ofron 5 bursa të reja për studentët ekselentë të mjekësisë

schedule18:24 - 26 Nëntor, 2021

schedule 18:24 - 26 Nëntor, 2021

Në kuadër të kontributit për përgatitjen e brezit të ri të mjekëve, Spitali Amerikan hap konkursin për bursë për studentët ekselentë që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera vitin e dytë dhe të tretë të Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë dhe Maqedoni. . Prej 5 vitesh, spitali amerikan ofron 8 bursa nga 100 euro në muaj.  Drejtoresha e Strategjisë Akademike doktoresha e shkencave Lindita Shosha, tregon qëllimin e këtij projekti.

Prej disa vitesh spitali amerikan ofron bursa për studentët ekselentë jo vetëm të Tiranës por edhe të Kosovës. Dhe këtë vit ne ndërmorëm një nismë duke e zgjeruar këtë oportunitet për të gjithë studentët e diasporës, duke përfshirë edhe studentë të Maqedonisë së Veriut. Këtë vit ne e kemi shpallur konkursin për 5 bursa të tjera të cilat do të jepen në muajin shkurt ku do mblidhet një komision i posaçëm profesorësh për të vlerësuar dokumentacionin e studentëve, performancën e tyre, për të bërë intervista live me ta dhe për të pasur një interaktivitet mbi pritshmëritë e tyre, mundësitë që kanë, objektivat dhe mundësitë që kanë për të qëndruar në Shqipëri pas studimeve ose jo”.

8 studentë ekselentë nga Shqipëria dhe Kosova, kanë vizituar disa prej ambienteve të spitalit Amerikan. Shosha thotë se edhe pas përfundimit të studimeve, spitali Amerikan do ti mbështesë me mundësi punësimi.

“Përveç sponsorizimit me bursa të studentëve ata do kenë mundësi të punësohen pranë strukturës së spitalit amerikan në pozicionet respektive në bazë të specialiteteve që do të dëshirojnë. Është një ndihmë e madhe për stimulimin e mjekëve të rinj”.

Studentët përfitojnë bursë mujore deri në përfundim të studimeve universitare. Kandidatët ekselentë të Fakultetit të Mjekësisë (aktualisht viti III dhe IV), mund të dorëzojnë dokumentacionin e noterizuar pranë zyrës së Kongresit para datës 31 Janar 2022.