Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vlerësuar me rëndësi dialogun mes Kosovës e Serbisë, për bashkëjetesën në rajon. Deklaratat kreu i shtetit i ka bërë gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.
Ka zgjedhur Malin e Zi për të zhvilluar të parën vizitë zyrtare për vitin 2019. Pas interpretimit të himneve kombëtare dhe ceremonisë shtetërore të pritjes, të dy delegacionet zhvilluan bisedime zyrtare.
Marëdhënia mes dy vendeve por edhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi në konferencën e përbashkët për shtyp se u duhet dhënë zgjidhje edhe pengesave që hasin qytetarët në të dy anët e kufirit.
“Si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit”.
Për presidentin Ilir Meta ky është një vit i rëndësishëm për rajonin edhe në drejtim të pritshmërive për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
“Dhe me këtë rast dua të theksoj rëndësinë që ky dialog me rezultatet e tij finale të forcojë dhe konsolidojë bashkëjetesën, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në Serbi, por bashkëjetesën në të gjithë rajonin tonë e sidomos të forcojë proceset integruese në të gjithë Ballkanin Perëndimor si e vetmja rrugë që ky rajon të ecë më me shpejtësi në rrugën e prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë”.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi presidenti Meta ka zhvilluar takim edhe me Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviç./abcnews.al